Kretë, kapen 6 tonë hashash çokollatë në anijen “Noka”

Evropë

Kretë, kapen 6 tonë hashash çokollatë në anijen “Noka”

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 08:48
Ilustrim

Organet greke në Kretë kanë zbuluar të paktën 6 tonë hashash çokollatë në 8 konteinerë që transportonte anija “Noka”, që vinte nga Siria.

Anija e dyshimtë ishte nën vëzhgim prej një jave në ujërat e brigjeve të ishullit grek, pas një informacioni të autoriteteve franceze.

Sapo ka mbërritur në portin “Sitia” të Iraklios, ajo i është nënshtruar kontrollit të autoriteteve portuale, të cilat deri të shtunën e kaluar nuk gjetën gjë, por pas një kontrolli më të hollësishëm kanë zbuluar në dyshemenë e dyfishtë të konteinerëve këtë sasi rekord droge.

“Noka” ishte nisur nga Latakia e Sirisë, me destinacion portin e Bengazit në Libi.

Sipas burimeve policore, për shkak se kontrolli vazhdon ende në konteinerët e tjerë, vlerësohet se sasia e hashashit çokollatë mund të shkojë në 11 tonë, që është edhe sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Greqi.

Ndërkohë, avokati që ka marrë përsipër mbrojtjen e 11 marinarëve sirianë të kësaj anijeje, ka deklaruar se ekuipazhi dhe kapiteni nuk ishte në dijeni të ngarkesës në fjalë.

Anija është lëshuar me qira nga kompania e saj te një kompani tjetër, e cila është përgjegjëse për sasinë e drogës së gjetur në konteinerë. Kjo është anija e tretë brenda muajve të fundit, që vjen nga Siria dhe kapet në Kretë me sasi të mëdha droge.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat