May në Bruksel; Shumica e konservatorëve i japin mbështetje kryeministres

Evropë

May në Bruksel; Shumica e konservatorëve i japin mbështetje kryeministres

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 06:34
Theresa May

Theresa May ka thënë se ajo do tu flasë liderëve të BE për garancitë ligjore që ajo beson deputetët kërkojnë para se të mbështesin marrëveshjen e saj. Kryeministrja ndodhet në Bruksel për një samit të BE pasi i mbijetoi votëbesimit të organizuar nga vetë deputetët e partisë së saj.

Ajo beson se mund ti bindë deputetët të mbështesin planin e saj të Brexit-it nëse do të zbuste frikën e tyre për problemet në kufirin me Irlandën. Ajo po ashtu tha se nuk do t’i udhëheqë konservatorët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. E kjo ishte një përsëritje e premtimit që ajo i bëri deputetëve të saj të mërkurën, si pjesë e përpjekjes së momentit të fundit për ti bindur që ta mbajnë atë në detyrë deri pas Brexit-it.

“Kam thënë se me zemër do të doja të udhëhiqja partinë konservatore në zgjedhjet e ardhshme por mendoj se është e drejtë që partia mund të preferojë të shkojë në zgjedhje me një lider tjetër”, u shpreh May.

Kritikët kanë thënë se ky plan do të mbajë Britaninë të lidhur me rregullat e BE-së, dhe do t’i kufizojë kapacitetet për të nënshkruar marrëveshje tjera tregtare. Bashkimi Evropian ka thënë se nuk do të rinegociojë këtë aspekt, mirëpo nuk e ka përjashtuar mundësinë e garancive shtesë për natyrën e përkohshme të tij.

“Jam takuar tashme me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, do të flas para këshillit evropian më pas dhe do të sqaroj garancitë ligjore dhe politike që unë besoj se na duhen për të sheshuar shqetësimet e deputetëve”, tha May.

Sidoqoftë, duket se ka pak gjasa që may do të arrijë të mbledhë mbështetje të mjaftueshme për planin e saj të Brexit-it aq sa për ta kaluar atë në dhomën e komuneve, me tensione të larta në partinë konservatore, pas votimit të mbrëmjes së të mërkurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat