Kryeministrja britanike dënon thirrjen e Tony Blairit për referendum të ri

Evropë

Kryeministrja britanike dënon thirrjen e Tony Blairit për referendum të ri

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 18:16
Theresa May dhe Tony Blair

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, e ka sulmuar njërin nga paraardhësit e saj, Tony Blair, duke e akuzuar atë se po i dëmton negociatat përmes thirrjes për referendum të ri. Ajo i quajti komentet e Blairit fyerje për pozitën që dikur e ka mbajtur.

May tha se deputetët nuk mund të heqin dorë nga përgjegjësia që kanë përmes mbajtjes së një referendumi të ri. Javën e kaluar, Blairi tha se deputetët mund ta mbështesin një votim të ri nëse opsionet tjera nuk funksionojnë. Duke iu kundërpërgjigjur kryeministres, ai tha se një referendum i ri do të ishte veprim demokratik.

Qeveria britanike vazhdimisht po e kundërshton mbajtjen e një referendumi të ri, duke thënë se populli e ka marrë një vendim të qartë, kur në vitin 2016 51.9 për qind e votuesve vendosën që Britania të largohet nga BE-ja, ndërsa 48.1 për qind ishin kundër këtij vendimi.

Sekretari për Tregti të Jashtme, Liam Fox, i cili kishte bërë fushatë që Britania të largohet nga BE-ja, tha se në rast të mbajtjes së një referendumi të dytë, njerëzit si ai do ta kërkonin edhe një referendum të tretë dhe se kjo nuk e dërgon vendin askund, shkruan “BBC”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat