Katovicë, marrëveshje me rregullat e përbashkëta për klimën

Evropë

Katovicë, marrëveshje me rregullat e përbashkëta për klimën

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 19:00
Konferenca e OKB-së për klimën me përfaqësues të rreth 200 vendeve u mbyll me finalizimin e një libri të përbashkët rregullash

Konferenca klimatike në Katovicë të Polonisë arriti të miratojë një sërë rregullash për hapat që do të marrin vendet pjesëmarrëse për ndryshimet klimatike. Delegatët e vendeve pjesëmarrëse në konferencë vazhduan punën të shtunën, përtej programit zyrtar të punimeve të parashikuara të mbylleshin të premten. Rregullat e miratuara do të mundësojnë tashmë zbatimin e Marrëveshjes Klimatike të arritur në vitin 2015 në Paris.

Konferenca e OKB-së për klimën me përfaqësues të rreth 200 vendeve u mbyll me finalizimin e një libri të përbashkët rregullash, të cilat do të ndihmojnë përpjekjet për uljen e çlirimit të gazrave ndotës dhe ngrohjes globale.

Marrëveshja e arritur pas dy javësh negocimesh në Katovicë të Polonisë u mundëson vendeve të vënë në zbatim parimet e marrëveshjes klimatike të Parisit, të arritur në vitin 2015.

Presidenti i konferencës, njëkohësisht edhe Ministër i Energjisë i Polonisë, Michael Kurtyaka, u shpreh se “ka qenë një rrugëtim i gjatë” dhe se “bëmë më të mirën për të mos lënë asnjë pas”.

Marrëveshja e arritur në Katovicë detajon udhëzimet se si vendet do të ofrojnë informacionin për masat që kanë marrë për klimën, si dhe krijon hapësira të reja financiare për fondet që do të përdoren nga viti 2025 dhe në vazhdim. Deri më tani, vendet anëtare patën synuar të mobilizojnë deri në 2020-tën fonde prej 100 miliardë dollarësh në vit për të ndihmuar vendet në zhvillim. Udhëzimet përfshijnë edhe mënyrat se si do të vlerësohet zhvillimi dhe transferimi i teknologjisë tek vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar ato përballëve sfidave klimatike. Vendet pjesëmarrëse ranë dakort të përditësojnë vullnetarisht deri në 2020-tën nivelin e synuar të reduktimit të ndotjes nga gazrat karbonikë, ndërkohë që nivelet e tanishme do të shqyrtohen në samitin klimatik të shtatorit 2019.

Megjithatë, disa vende mendojnë se konferenca nuk bëri sa ç’duhet, ndërkohë që studimet më të fundit tregojnë se ngrohja globale mund të jetë duke avancuar më shpejt se reagimi i qeverive.

Një studim i muajit të kaluar tregoi se ngrohja globale do të përkeqësojë katastrofat natyrore, si zjarret vdekjeprurëse të Kalifornisë dhe uraganët e fuqishëm që kanë goditur Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.

Drejtorja ekzekutive e organizatës “Greenpeace”, Jennifer Morgan, tha se vazhdojmë të përjetojmë një hendek papërgjegjshmërie mes vendeve të varfëruara dhe ishujve të rrezikuar, përkundër atyre që kërkojnë të bllokojnë masat për klimën dhe që po dështojnë moralisht të veprojnë me shpejtësinë e duhur./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat