Macron’it nuk po i ecën, edhe policia i paralajmëron protestë

Evropë

Macron’it nuk po i ecën, edhe policia i paralajmëron protestë

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 11:55
Policia franceze

Policia franceze ka kërcënuar me protesta kundër Emmanuel Macron, duke theksuar se “xhaketave të verdha” do t’iu bashkëngjiten së shpejti edhe “xhaketat e kaltra”.

Qeveria e Francës është përpjekur ta qetësojë policinë, e cila po kërkon kushte më të mira të punës, duke i ofruar nga 300 euro shtesë për policët të cilët kanë qenë në detyrë gjatë protestave të dhunshme të cilat kanë filluar muajin e kaluar.

Oferta e Qeverisë pasoi një ditë pasi dy sindikata të policisë kanë paralajmëruar se pjesërisht do ta ndalin punën në shenjë proteste për shkak të mënyrës së punësimit dhe çështjeve tjera buxhetore. Ministri i brendshëm Christophe Castaner do të takohet me përfaqësuesit e sindikatave të policisë.

Nuk është e njohur se a do ta kënaqë policinë bonusi i propozuar, shkruan “Fox News”.

“Ne nuk jemi në shitje dhe nuk mund të na blini. Është e sigurt se ky bonus nuk do ta zgjidhë krizën”, ka thënë përfaqësuesi i sindikatave të policisë Yves Lefebvre.

Sipas të dhënave të Qeverisë, këtë shpërblim do të fitojnë 110.000 policë dhe personel i ushtrisë dhe do të kushtojë 33 milionë euro. Pritet që parlamenti të diskutojë për këtë gjatë debatit për buxhetin për vitin 2019.

Në vend të bonusit, sindikatat e policisë kërkojnë pagesë për mijëra orë pune jashtë orarit, të cilat janë grumbulluar viteve të fundit.

Ata kanë kërcënuar me protestat e tyre, gjegjësisht me “xhaketa të kaltra” kundër Macronit, pesë javë pas luftës me demonstrues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat