“Ekrem, njerëzit sikur ti popujt e tjerë i ruajnë” - Bota Sot
“Ekrem, njerëzit sikur ti popujt e tjerë i ruajnë”

Fejtone

“Ekrem, njerëzit sikur ti popujt e tjerë i ruajnë”

Nga: Zef Kabashi Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 12:28
Faqja 7 e gazetës “Bota sot”, data 12 qershor 2000, shkrimi i autorit Zef Kabashi, një muaj pas vrasjes së komandant Drinit

Ditën e varrimit persona të caktuar janë përcjellë hap pas hapi nga “dikush”, kurse burimi ynë përmend disa që ai i quan “shurdhues” e që në Kosovë kanë hyrë vetëm për beteja politike. Kush janë “shurdhuesit”?  Lexoni detaje nga shkrimi i datës 12 qershor 2000

Të mërkurën, një ditë para se “Drini” të varrosej, në një emision të drejtpërdrejtë në Radio Prizren, Naim Maloku bën thirrje për transparencë totale në rastet inkriminuese ndaj shoqërisë dhe thotë se njerëzit që keqtrajtojnë dikë apo në emër të Kosovës kërkojnë para për xhepin e vet, nuk kanë asgjë të përbashkët me Kosovën e as me idealin për të. Nëse kjo përkthehet shkurt e shqip Naimi dhe “Drini” ndanin të njëjtin vision në lidhje me disa sjellje të pahijshme në shoqërinë e pasluftës, e sidomos kur ishte fjala te keqpërdorimi I uniformës dhe i pozitës. Në memorialin e “Drinit”, bashkëluftëtari Naim Maloku tha: “Ekrem, njerëzit sikur ti popujt tjerë i ruajnë!”. Kujt do të mund ti zinte udhën një njeri si Ekrem Rexha, njeri që fliste 7 gjuhë dhe që kishte përgatitjen më komplete në mesin e oficerëve kosovarë?

Drini e ka penguar dikë në Prizren…

Një burim tjetër tepër i sigurt, shpjegon kronologjinë e disa ngjarjeve që ndërlidhen mjaft me tërë hetimet që intensivisht po kryhen në lidhje me atë se kush ka mundur ta vrasë “Drinin”. “Drini” në UÇK është afirmuar në nënzonën e Vërrinit gjatë verës së vitit 1998, ku kishte shkuar me urdhrin e Bislim Zyrapit. Por, Vërrini është edhe vendi ku atij edhe disa rrethe i vishet një epitet prej “tradhtari”. Pas ofenzivës së shtatorit në Vërri, UÇK-ja thehet aty dhe për këtë dështim akuzohet “Drini”. Realiteti ishte tjetër, shpjegon më tej një burim tjetër me të cilin u konsultuam në lidhje me këtë ofenzivë, kishim të bëjmë me mijëra trupa të armikut dhe tërë atë teknikë, saqë nuk kishte çka të bëhej më tepër. Është mrekulli që kemi mundur të qëndrojmë aq sa arritëm.

Kush ia veshi këtë epitet prej “tradhtari”. Disa burime brenda “elitës politike” të Prizrenit tregojnë se kjo ka rrjedhë nga disa rrethe brenda politikës lokale që proklaminin se në Prizren dhe në rrethinë ishin ata që udhëhiqnin politikisht me luftën çlirimtare. Ky disponim për “Drinin” “tradhtar” dhe njeri që kishte dezertuar është dëgjuar derisa komandant i ZOP-it u emërua Ekrem Berisha-Drini. Burimet tona thonë se atëherë shumëkush e bëri pyetjen se kush ishte tradhtari, sepse thuhej “Drini” kërkonte llogari morale për të vërtetat për të? Një burim tjetër na tregon se gjatë ofenzivës në Vërrin, “Drini” kishte arritur të shpëtonte tërë fondin që ishte mbledhur në Prizren dhe në rrethinë për të blerë armë dhe atë e kishte dorëzuar drejt e në Shtab të Përgjithshëm. Të kthehemi përsëri te burimi ynë i parë, I cili edhe ka arritur ti përmbledh tërë këto detaje të imëta.

Sipas këtij burimi këto rrethe politike edhe pas emërimit të “Drinit” komandant të ZOP-it nuk kishin harruar mërinë ndaj tij dhe se kjo kishte ardhur në shprehje më së shumti pas luftës. Burimi ynë, tek I cili gjithnjë referohemi, thotë se kanë dijeni se për më së paku dy persona autoritativ që kanë këshilluar njerëzit të mos përzihen me “Drinin” dhe që indirekt e kanë kërcënuar atë. Burimi ynë shkon edhe më tutje duke thënë se më vonë “Drinit” i kanë arritur edhe kërcënime direkte, por ai nuk i ka marrë parasysh. Burimi ynë thotë se, ka dëshmi për këta persona se kanë përdorur fjalor si “do ta gjeni veten në ndonjë llagem”, apo edhe “do t`ju vrasim të gjithëve”, por këto gjëra duhet të mbështeten edhe me dëshmi më të forta, sepse si duket rrethi mbyllet diku tjetër, shumë më larg. Në këto momente e kemi bërë pyetjen se mos ndoshta me të vërtetë “Drinin” e kishin vrarë agjenturat serbe? Përgjigja ishte e thjeshtë, duke pohuar se në mënyrë indirekte dhe në fund të tërë lojës dobinë e vetme e ka UDB-ja, por nuk kanë ardhur serbët në Prizren për ta vrarë “Drinin”, njeri që ishte demobilizuar qysh prej qershori 1999.

Nëse UDB-ja ka dërguar një ekip special vrasësish, thellë në territorin e Kosovës, pse këta vrasës nuk u ndalën në Prishtinë dhe pse nuk vranë ndonjë personalitet, i cili ka peshë të madhe aktuale! “Drini” e ka penguar dikë në Prizren dhe burimi ynë na përkujtoi deklaratën e vëllezërve të “Drinit” për media, ku edhe ata e pohojnë të njeëtën. “Nëse shqiptarët lejojnë që UDB-ja tu hyjë aq thellë, mua do të më vinte turp ta përmendja këtë”, citojmë burimin tonë. Duke dëshiruar që të shkonte më tutje burimi ynë thotë duke analizuar profilin e personaliteteve në Prizren, shumë lehtë mund të kuptohet se nuk ka njeri që mund të ketë fuqi të mjaftueshme politike që ta kryejë një vrasje të tillë. Për këtë rrethi edhe nuk i mbyllet në Prizren. Duke shfrytëzuar drejtimet e dhëna nga burimi ynë primar mësojmë se “Drini” në një farë forme gjenerator ndryshimesh dhe njeri që me të vërtetë ka besuar vlerat demokratike dhe në një shoqëri të lirë dhe këto ide ka menduar ti materializojë politikisht.

Burimet tona thonë se “Drini” ka qëndruar fort pas ideve të Naim Malokut, por edhe se është marrë vesh fort mirë me rrymat e tjera politike, pos PPDK-së së atëhershme, apo LDK-së! Ishte “Drini” ai I cili lidhte rrymat e reja politike që mendonin të njëjtën, por veten e quanin ndryshe dhe ishte ai që mund t`i sillte në një emër dhe në një forcë të madhe politike.

Kreatorët të këtyre konspiracioneve janë njerëzit që nuk janë fort prezentë në opinion, por që gjithnjë rrinë në hije

Burimi ynë na tërheq vërejtjen duke thënë se nuk ishte vetëm “Drini” ai i cili ishte përcjellë, por edhe mjaft figura të shquara të luftës me botëkuptime liberale dhe se vrasja e “Drinit” nuk ka qenë gjë tjetër pos edhe një vërejtje e madhe për ta, por edhe një goditje e madhe për tërë ata që mendonin të krijonin alternative të reja mbi armiqësitë pa lidhje të së kaluarës. Ditën e varrimit persona të caktuar janë përcjellë hap pas hapi nga “dikush”, kurse burimi ynë përmend se disa që ai i quan “shurdhues” e që në Kosovë Kanë hyrë vetëm për beteja politike. Kush janë “shurdhuesit”? Ekzekutorë profesionist të ish-Sigurimit!!!

Ajo që mbetet të vërtetohet është se a kanë qenë këta në mesin e ekzekutorëve të “Drinit”?

Shkojmë më tutje. Burimi ynë thotë se ka një lidhje në mes të ofenzivës  së shtatorit dhe fjalëve pas, njerëzve që kanë pirë(lexo:festuar) ditën e varrimit (burimi ynë përmend praninë e një personi publik nga Shqipëria), kërcënimeve ndaj vetë “Drinit” dhe njerëzve rreth tij, daljes së tij në skenën të alternativave politike, frymëzimit të popullatës që do t u thotë jo abuzimeve, kërcënimeve ndaj disa lokaleve, njerëzve që kanë përcjellë të tjerët dhe kërcënimeve në Radio. Burimi ynë thotë se kthesë në hetime ka bërë mësimi i faktit se disa njerëz kanë akuzuar “Drinin” edhe për vrasjen e Remzi Ademajt-Petritit, duke thënë se “Drini” e kishte vënë atë në pritë edhe pse mirë dihet se fajtori për këtë është zënë dhe vrarë shumë më herët. Ky detaj ka lidhur shumëçka, sepse njerëzit e dyshuar dhe disa detaje të imta të përmendura më lartë figurojnë edhe më tepër logjikë. Cila është kjo logjikë, burimi ynë nuk dëshiron të na thotë, por shton se nga dikush “Drini” është akuzuar, gjykuar pa prezencë, dënuar dhe ekzekutuar në bazë të fabrikimeve dhe gjërave absolutisht të pavërteta.

“Drini” është vrarë vetëm për çështje politike, sepse planet e tij dhe mënyra tepër e mençur e realizimit politik ka qenë tepër e fuqishme dhe rreth vetes ka bashkuar tërë shtresat e shoqërisë prizrenase dhe më gjerë, duke e bërë atë urë afrimi të shumë ideve dhe koncepteve të ndryshme, si paraprijës në hije i alternativave të fuqishme politike për të cilat shtypi fliste shumë. Burimi thotë se kreator të këtyre konspiracioneve janë ca njerëz që nuk janë fort prezentë në opinion, por që gjithnjë rrinë në hije. Sikur “Drini” me të vërtetë të ishte fajtor për gjërat që këta njerëz mundohen t`i plasojnë, atëherë do të ishte shumë e lehtë.
Do të mblidheshin dëshmitë dhe ai do të gjykohej para gjyqit të popullit të vet, thotë burimi ynë, por dëshmi të tilla nuk ka pasur. Ka pasur vetëm teori të pabaza dhe të krijuara nëpër dhoma pasdarke. Rrëfimin e vet burimi ynë e përfundon me kaq duke përfunduar se para se të vdiste “Drini” kishte lënë gjëra pas vetes !!!. Ekzekutori i drejtpërdrejtë i vrasjes nuk është edhe fort i rëndësishëm, me rëndësi është rrethi ideor, sepse ata që kanë tërhequr këmbëzën me siguri e kanë ndjerë veten të dobët karshi respektit që i është dhënë “Drinit”. Për ta bërë edhe më të qartë, njerëzit e kanë përcjellë në mënyrë madhështore atë, jo se e kanë njohur apo se ndoshta e kanë dashur, por ka qenë kjo shfaqja më e madhe e solidaritetit me “Drinin” në përpjekjet kundër atyre që dëshirojnë që të kontrollojnë jetën e të gjithëve dhe të krijojnë klimë terrori Bolshevik. Në ndërkohë do të ketë njerëz që do të thonë se “Drinin” e ka vrarë UDB-ja, se ai ka qenë “tradhtar”, vetëm e vetëm ti ikte të vërtetës. Kjo ma kujton vrasjen e Kenedit në nënrtor 1963 në Dallas. A ishte një atentator, apo më tepër?
Nëse opinion dihej vetëm për një, atëherë do të besoj se Kenedin e ka vrarë një njeri i menduar, nëse opinion kupton se ka pasur më tepër atentatorë që kanë shtënë nga anë të ndryshme, atëherë do ta ketë më të qartë se ka qenë fjala për konspiracion. “Drini” nuk është Kendi, por përderisa dikush tërheq vëmendjen me përralla se ai është vrarë nga UDB-ja apo se është vrarë për tradhti, atëherë opinion do të jetë larg së vërtetës se ai është viktimë konspiracioni. Ndërsa ajo që përmendet tash së fundi edhe publikisht nga zyrtarët e policisë në Prizren, është se rasti është komplikuar aq shumë saqë momentalisht është në tavolinën e instancave më të larta politike në Prishtinë. “Ne nuk dimë se çka po ndodhë dhe se çka ka ndodhur”, thotë një zyrtar I policisë që deshi të mbetet anonim, duke komentuar se pse rasti tash është në duart e instancave më të larta politike. Ajo çka mbetet të shihet është se a do ti bëhet opinionit ajo çka ka ndodhur apo ndoshta e vërteta kësaj radhe do të ishte tepër e hidhur. Mirëpo, në fund të fundit është vetëm e vërteta ajo që mund të na lirojë, pa marrë parasysh sa e dhimbshme mund të jetë./ Vijon

P.S  Ky shkrim është bërë në konsultim me burime të shumta që nuk përmenden.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...