Shaip Emërllahu në një libër me Homerin, Virgjilin, Rembo...

Fejtone

Shaip Emërllahu në një libër me Homerin, Virgjilin, Rembo...

Më: 26 prill 2010 Në ora: 18:44

Në përkujdesje të Institutit Evropian të Mesdheut në Barcelonë të Spanjës është botuar Antologjia e teksteve poetike Mesdhetare “El mar a la mirada”. Kjo antologji që është unike në llojin e vet përfshin poetë dhe shkrimtarë të gjuhëve mesdhetare që kanë krijuar, që nga shek. XIII para erës së re e deri më ditët e sodit. Aty janë përfshirë 77 krijues të 26 vendeve që preken nga ujërat e Mediteranit, disa prej të cilëve janë krijues gjigand të letërsisë antike, të romantizmit dhe nobelistë të letërsisë moderne botërore. Kështu, në këtë antologji letërsia greke është përfaqësuar me disa poetë, në mesin e të cilëve është Homeri, nobelistët Seferis, Elitis, Ricos, letërsia frënge nga Pol Valery dhe Artur Rembo, letërsia spanjolle nga Rafael Alberti, Gustavo Bécquer, Salvador Espriu, ajo italiane nga Virgjili, Petrarka, Ungaretti, letërsia turke nga Nazim Hikmet, malazeze nga Njegosh, libaneze nga i madhi Gibran Khalil Gibran, poezia izraelite nga Iehuda Amikhai, ajo palestineze nga Mahmud Darwish etj.

Ndërkaq, poeti Shaip Emërllahu përfaqëson i vetëm poezinë shqipe në këtë Antologji të veçantë të tekstit poetik të mesdheut, “El mar a la mirada”, të përgatitur nga Instituti Evropian i Mediteranit.

Antologjia hapet me thënien e nxënësit të Gëtës, poetit të madh katalonas, Joan Vinyoli, “El mar és ple. Però jo passo el temps omplint-lo de mirada.” Një parathënie e gjerë e hartuesit Manuel Forcanos shoqëron antologjinë, ku flitet për ndikimin që kanë luajtur në letërsitë e ndryshme vlerat estetike dhe poetike të teksteve poetike të këtyre autorëve të 26 popujve të përfaqësuar në Antologji. Tekstet poetike janë përkthyer dhe seleksionuar nga doktori i filologjisë semitike, poeti dhe përkthyesi i njohur Manuel Forcano. Libri që është një përgatitje luksoze është ilustruar me 33 fotografi të përzgjedhura nga Marta Dahó. Kohë më parë, kjo antologji është përuruar në Barcelonë, nga Instituti Evropian i Mesdheut në organizimin e drejtpërdrejtë të drejtorit gjeneral të tij, ambasadorit Senén Florensa.

Në këtë aktivitet, për librin ka folur, prof. dr. Josep-Lluís Carod-Rovira, zëvendës kryetari i Qeverisë së Katalonisë, i cili është njëherit dhe një prej studiuesve më të rëndësishëm të letërsisë së vendeve mesdhetare dhe evropiane. Ai ka vlerësuar lartë këtë antologji të Institutit Evropian të Mesdheut, hartuesin dhe përkthyesin, i cili ka bërë që në një vend të komunikojnë të gjithë kohët, brezat, artet, kulturat dhe gjuhët mesdhetare.

Në këtë promovim për këtë projekt të madh evropian që afirmon komunikimin interkulturor ka folur edhe drejtori gjeneral i Institutit Evropian të Mesdheut, ambasadori Senén Florensa.

Ndërkaq, hartuesi dhe përkthyesi prof. dr. Manuel Forcanos në fund ka lexuar dhe recituar disa nga tekstet poetike të përkthyera të Antologjisë. Botimi i kësaj antologjie ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm, ndërsa përurimi i saj ku kanë marrë pjesë emra të njohur të politikës dhe kulturës spanjolle është pasqyruar gjerësisht nëpër mediumet shumta elektronike dhe të shkruara spanjolle.

Bota sot

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat