Sulmi i FARK-ut ishte frontal dhe i furishëm

Fejtone

Sulmi i FARK-ut ishte frontal dhe i furishëm

Major Nazif Ramabaja Nga Major Nazif Ramabaja Më 6 korrik 2018 Në ora: 09:03
Tahir Zemaj gjatë kohes së luftës

Ja detajet dhe zhvillimi i operacioneve taktike dhe strategjia e përdorur në rimarrjen e fshatit Logjë.

Esat Ademaj me një kompani ishte nda te udhëkryqi dhe kishte marrë përgjegjësi për të sulmuar në krahun e djathtë dhe për t’ju pamundësuar paramilitarëve serbë, të cilët sulmonin nga Gorazhdeci, në mënyrë që mos të vjen deri te befasia e forcave serbe duke sulmuar në atë krah, t´na vin prapa shpine. Esati këtë e ka bërë në mënyrë shumë profesionale dhe të suksesshme.

Faruk Xhemajli dhe unë (Nazif Ramabaja) komandonim dy grupe (kompani) dhe kem qenë gjithnjë në vijën e parë të frontit duke sulmuar, nga vija e shpërndarjes, e cila ishte përcaktuar në Zllopek (edhe pse nën granatimet e pandërprera nga ana e armikut, morali dhe dëshira për tu ballafaquar me armikun na bënte edhe më të fortë në mënyrë fizike dhe psikike), deri te vija e hapjes së zjarrit afër xhamisë së fshatit.

Sulme në tri drejtime

Fillimisht kemi marrë nën kontroll frontin deri te xhamia e fshatit, pastaj me asgjësimin e pjesërishëm të autoblindës dhe tërheqjen e saj mbrapa në drejtim të Pejës. Qëllimi tjetër ka qenë në fazën e parë ta shtrijnë kontrollin e territorit deri në brendësi, deri te shkolla e fshatit.

Sulmi ishte frontal dhe i furishëm nga të gjitha mjetet luftarake duke aktivizuar grupin antiblind-antitank, Grupi për bashkëveprim-bashkërenditje dhe koordinim të zjarrit, kemi zmbrapsur një autoblindë, e cila ishte duke ardhur në drejtim të xhamisë së fshatit, por ishte pozicionuar paralel me shkollën e fshatit.

Dhënia e urdhrit dhe hapja e zjarrit nga njësiti antiblind-tank nga një mortajë e krahut e tipit ZOLA, goditja dhe shkatërrimi i mitralozit kundërajror 12.7 mm i montuar në kupolë të autoblindës M-60 me gjithë personelin që bënte hapjen e zjarrit, goditja e kësaj autoblinde nga forcat tona, rezulton që kjo të bëj tërheqjen deri te rruga që shpinte për Gorazhdec-Lugmir dhe kështu lirohet rruga dhe na u mundësua që të vazhdojmë sulmin pa ndërprerë për rimarrjen dhe ushtrimin e kontrollit nga forcat tona.

Sulmonim në tri drejtime pa pasur kohë për tu konsultuar dhe dhënë urdhra të posaçme.

Nga shtabi i Loxhës s’na priti askush edhe pse e kishin kërkuar ndihmën dhe një intervenim të tillë. U ndeshëm drejtpërsëdrejti, ballë për ballë frontalisht me armikun. Komandimi ishte bërë nëpërmes korrierëve me shenja dore dhe herë herë me filikaqa, kur ishim ngat njëri tjetrit për tu mos u zbuluar pozicionet tona, sepse kurrfarë mjetesh të ndërlidhjeve nuk kishim.

Faruku kontrollonte pjesë të rajonit përpara që shpien në drejtim të shkollës me një grup ushtarësh. Esati ballafaqohej me vendasit e tij dhe kishte një dialog me njëfarë Gëzimi, unë kontrolloja rejonin në drejtim të Morinëve, dhe se isha drejtpërsëdrejti në lidhje me Farukun, kishim kontakt vizual. Në ndërkohë ka ardhur korrieri dhe më ka lajmëruar se Faruku më kërkon në drejtim të shkollës. Pasi u njoftova se në drejtim të Morinëve luftëtarët janë duke qëndruar mirë dhe s’kanë për ta lëshuar frontin pa dhënien e urdhrit për tërheqje dhe se atje vepronte Skender Çeku.

Bëra tërheqjen e grupit nga ana e djathtë dhe u drejtova kah ana e Farukut, ku i kemi bashkuar grupet, konsoliduar radhët, jemi freskuar me municion dhe kemi marrë udhëkryqin, rruga që shpie nga Peja për në Loxhë e pastaj për në Gorazhdec-Lugmir.

Në këto çaste Loxha ka qenë e garantuar nga të gjitha anët dhe nga të gjitha armët që posedonte armiku. Prej pranimit të luftës nga njësiti intervenues deri tek udhëkryqi kishin kaluar dy orë. Nga granatimet e forcave serbe ishin ndezur disa shtëpi te varrezat mbi shkollën e fshatit dhe disa stogje, sepse armiku kishte përdorur bombat zjarrndezëse (napalm-bomba), forcat serbe ndezjen e tyre e bën pas tërheqjes së autoblindës, qëllimi kuptohet ishte ushtrimi i frikës dhe panikës kur të shihet zjarr dhe tym.

Kam urdhëruar njësitin që të hapin zjarrë nga të gjitha mjetet ushtarake në mënyrë që të na mbulonin me zjarrin e pandërprerë dhe duke e shfrytëzuar mbështetjen me zjarrë kem hyrë në oborrin e shkollës dhe pastaj kemi vazhduar. Ka vazhduar sulmi i shtëpive të para, së bashku kemi sulmuar shtëpitë serbo-malazeze dhe i kemi marrë nën kontrollin tonë, por kemi hasur në rezistencë të paparë në dy shtëpitë e fundit nga snajperistët dhe njësiti special serb.

Në udhëkryqin që shpinte në drejtim të Gorazhdecit, ishin dy shpija serbo-malazeze, vendosëm që me një dozë sigurie të kalojmë rrugën, me qëllim që ti kontrollojmë këto shtëpi dhe ti marrim nën kontrollin e forcave tona.

Rrethimin e shtëpisë së fundit e kemi bërë (Nazif Ramabaja, Faruk Xhemajli, Enver Alaj, Sinan Shala, Xhavit Thaçi), nga dy anët e hyrjes në njërën anë Faruku me një ushtar, e në anën tjetër unë me Enver Alajn, por ka pasur edhe ushtarë të tjerë, të cilët janë gjendur në këtë rrethim.

Pas thyerjes së derës së hyrjes me shqelm nga ana e Farukut kontrolluam oborrin dhe brendësinë, në anën e përparme, por nuk hasem në ndonjë rezistencë. U ndamë me Farukun, ai e mori nën kontroll, anën e djathtë të shtëpisë me një grup, ndërsa unë të majtën me grupin tjetër për në anën e kundërt dhe kontrolluam pjesën e sipërme, s’isha në dijeni se Faruku e kishte zënë gruan shkinë, dhe se e kishte lëshuar pas lutjeve se e ka fëmijën për gjini, dhe se në shtëpi nuk gjendej askush, ai e lëshon.

Rënia Enver Alajt

Nëpërmes korrierit na vjen lajmi që të kem kujdes, sepse njësiti që udhëhiqte Esat Ademaj në anën e djathtë, kishin vërejtur qeramidhet në kulmin e shtëpisë të ngritura lartë, dhe të përgatitura për snajperit, gjë që edhe e kishin bërë duke shti në forcat tona.

Duke u dëgjuar me këta korrier ushtari Enver Tahir Alaj, ka hyrë në korridor të shtëpisë, i përvjedhur dhe pa e vërejtur askush, në të njëjtin moment më vjen lajmi se eprori Faruk Xhemajli është plagosur rëndë dhe është në gjendje të vështirë. I preokupuar me rastin e Farukut urdhërova që menjëherë të dërgohet në spital për ti dhënë ndihmë urgjente dhe për këtë u angazhua Esat Ademaj me dy ushtarë dhe një mjet transportues.

Kem hedhur bomba dore në ballkon të katit të parë, e cila s’ka eksploduar, ishte e marrur në Shqipëri, na ka ndodhë edhe herëve tjera që bomba të tilla të dështojnë.

Pas një momenti kemi shikuar në korridorin e shtëpisë bunker, isha i vetëm me një ushtar dhe kem pa Enver Alajn të shtrirë, në at moment kemi hyrë brenda dhe kemi tentuar për ta tërhequr sepse ende ishte gjallë. Duke e vërejtur Enverin të shtrirë kam hapur zjarr dhe me sa duket kam plagosur apo vrarë s´jam i sigurt sulmuesin, policin serb. Pastaj nga shkallët e katit të parë është hedhur bomba e dorës M-75 afër këmbëve të Enverit, diku gjysme metre larg meje.

Kam tentuar të hyjë në banjo pasi dera ishte e hapur dhe jam gjunjëzuar, pas pak ka ekpoduar bomba dhe e kam pa veten se jam në jetë. Duke mos besuar kam shikuar më vonë në antiplumbin, të cilin e kisha veshur në trup, ishte bërë krejt sikurse shoshë e me vrima nga saçmet, të cilat në asi lloj tipi të bombave të dorës ka më se 3000 saçme. Pas këtij momenti e kam dashur shumë atë antiplumb dhe se kam hequr asnjëherë kur kam shkuar në vizita nëpër shtabet rajonale sepse ma kishte shpëtuar jetën. / Vijon

Nesër do të mund të lexoni: Si u zhvillua beteja më tej, si po luftonin shqiptarët si ujqër? Si po binin një nga një mjetet motorike serbe, si do të raportohej para Tahir Zemajt për fitoren, si do të vinin në ndihmë ushtarakët dhe heronjtë Sali Çekaj, Lumni Surdulli dhe të tjerët?

Lexo poashtu: Ekskluzive: Si u fitua beteja e Loxhës, si u asgjësuan trupat serbe!

Përmbysja e situatës, nga shpartallimi i vullnetarëve tek fitorja e FARK-ut

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat