Mbyllen edhe 13 bastore në Ferizaj

Ferizaj

Mbyllen edhe 13 bastore në Ferizaj

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Inspektorati i Komunës dhe Drejtoria e Financave ka mbyllur 13 bastore në qytet dhe fshatra të Ferizajt.

Siç njofton Komuna  e Ferizajt, gjatë inspektimeve të bastoreve, u gjetën se nuk përmbushin shumë nga kushtet e kërkuara ligjore për ushtrimin e veprimtarisë biznesore, siç janë certifikata e biznesit, pëlqimet për kushtet higjieno-sanitare, pëlqimi për kushtet minimalo-teknike dhe dokumentet tjera përcjellëse.

Njoftimi i plotë i Komunës së Ferizajt:

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu pati shprehur edhe më parë qëndrimin e tij dhe qeverisjes lokale se bastoret dhe kazinotë në Ferizaj do të mbyllen tërësisht, për të mbrojtur mirëqenien qytetare dhe shmangur dukuritë negative për qytetarët ferizajas. Një synim i tillë po realizohet plotësisht, dëshmuar edhe nga mbyllja e dhjetëra bastoreve dhe kazinove që nga dita e parë e pushtetit të ri lokal në Ferizaj.

Aksionet tashmë 1 vjeçare në luftë me këtë veprimtari shkatërruese të ekonomisë familjare, të cilat kanë mbështetje të gjerë qytetare e që motivojnë edhe më shumë zgjerimin e veprimeve inspektuese, kanë arritur që Ferizajn ta çlirojnë nga tashmë gati 100 biznese të tilla të cilat operonin në Ferizaj.

Edhe në aksionin e fundit treditor të Inspektoratit të Komunës dhe Drejtorisë së Financave, u mbyllën 13 bastore në qytet dhe fshatra, të cilat gjatë inspektimeve u gjetën se nuk përmbushin shumë nga kushtet e kërkuara ligjore për ushtrimin e veprimtarisë biznesore siç janë certifikata e biznesit, pëlqimet për kushtet higjieno-sanitare, pëlqimi për kushtet minimalo-teknike dhe dokumentet tjera përcjellëse.

Nga kontrolli financiar dhe për faktin e mungesës së kushteve të parapara me rregullativën ligjore në fuqi janë mbyllur edhe javë e muaj më parë dhjetëra biznese të tilla.

Qeverisja lokale ka vendosur kontrollin mbi territorin, veçanërisht ndaj bizneseve të tilla, duke dekurajuar skajshmërisht ushtrimin e veprimtarive të tilla në Ferizaj dhe mbrojtur shëndetin publik nga dukuritë negative, rrjedhimisht edhe shmangien e rrënimit financiar të familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat