Vrasja pas shpine në Ferizaj, dorasi nxori hak për të vëllanë, historia e konfliktit - Bota Sot
Vrasja pas shpine në Ferizaj, dorasi nxori hak për të vëllanë, historia e konfliktit

Ferizaj

Vrasja pas shpine në Ferizaj, dorasi nxori hak për të vëllanë, historia e konfliktit

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:37
Dje Shqipërim Rexha qëlloi me tre plumba pas shpine Mentor Aliun të cilin e la të vdekur në vend.

Familja Aliu e Rexha kanë vendosur ta zgjidhin me kanun konfliktin familjar që nisi me vrasjen Samir Rexhës në vitin 2016. Besa që ka skaduar në dhjetor të vitit të kaluar i ka hapur rrugë edhe një vrasjeje ose hakmarrjes së Rexhajve ndaj Aliajve që janë me origjinë nga Skenderaj. Dje Shqipërim Rexha qëlloi me tre plumba pas shpine Mentor Aliun të cilin e la të vdekur në vend.

Gati tre vite kishin kaluar prej kur familja Aliu e ajo Rexha nga Ferizaj po funksionin sipas rregullave të Kanunit. 

Nëpër intervale të caktuara kohore, në shtëpitë e tyre shkonin burra të cilët ndërmjetësonin për besë me zotimin se nuk do të kishte vrasje, si pasojë e një historie e cila kishte ndodhur në vitin 2016’të, ani pse për këtë rast, fjalën e saj e kishte thënë drejtësia.

Atëherë, Meriton Aliu, 20’vjeçar e kishte qëlluar me armë zjarri Samir Rexhën 19 vjeç dhe e kishte lënë të vdekur. Dje ndodhi njëjtë, këtë herë ishte vëllai i Samirit ai që mori hak ndaj familjes Aliu. 17’vjeçari, Shqiprim Rexha do ta shihte në qytet Mentor Aliun dhe aty do ta qëllonte me tre plumba, para shumë qytetarëve e në pikë të ditës, e 25’vjeçari do të ndërronte jetë në vend të ngjarjes.

Express, një ditë pas vrasjes, ka qëndruar në Ferizaj nga ku sjell rrëfimin për rastin.

Dyert e banesës së familjes Aliu në Ferizaj, të enjten qëndruan të mbyllura.

 Mëngjesin e kësaj dite, pjesëtarë të familjes u nisën për në vendlindjen e tyre në Pluzhinë të Skenderajt, nga ku do t’i jepnin lamtumirën e fundit djalit që iu vra dje.

 Mentori nuk kishte shumë kohë që kishte diplomuar për Gjuhë Angleze, por, pasi që ju pamundësua që të gjente punë, për një kohë kishte punuar si kondukter.

Besa të cilën burrat e shtëpisë e kishin marrë nga familja Rexha, për ta përfundoi në dhjetor të vitit 2018’të, e kështu, të afërmit e shokët kishin kohë që e udhëzonin 25’vjeçarin që deri në pajtim t’i rrallonte daljet.

Prindërit e tij madje edhe nuk po e lejonin të vazhdonte punën, nga frika që mund të ndodhte diçka e keqe. 

Shpresa e tyre, siç deklarojnë ata që i kanë njohur nga afër, ishte se së shpejti do të mund të zgjasnin dorën e pajtimin, por, në fakt ndodhi e kundërta, sipas pamjeve që u publikuan në media ai u vra me disa plumba pas shpine.

 Një person (emri i të cilit do të mbetet anonim shkaku i ndjeshmërisë së rastit), ka thënë se ka njohur mirë personat të cilët janë përfshirë në rast. Fillimisht, ai thotë se konflikti kishte nisur në mes të Meritonit dhe Shqipërimit, e pastaj përplasja e tyre do të përfundonte në vrasje.

 Sipas tij, ka shumë njerëz që dinë se të dy këta ishin marrë me shitje të substancave narkotike.

“Këta janë kanë shokë niher, po qysh thojnë, kanë pas probleme mes vete, ai e ka kërcënu i pari këtë Meritonin. Ai ka pas presion prej Samirit”, rrëfente ai. I njëjti thotë se kishte dy ditë që ishte takuar me të ndjerin të cilin e kishte pyetur se a ka shenja për pajtim.

“Pardje e veta djalin qysh ka ndodhë rasti, a ka pajtime. Valla hazër jena me u pajtu, po daja i Samirit nuk po ngon më tha ai”, shtonte bashkëbiseduesi, duke rrëfyer se Mentori kishte lënë që një kohë punën sepse familjarët po i thonin që të kishte kujdes.

 “Ka punu kondukter, po tana e patë lanë punën, ka tentu me dalë niher edhe jashtë qat herë kur dojshin me dalë po sun dul. Deri në vit të ri këta kanë pas besë mas viti të ri s’kanë pas besë. Ky djali kish dalë, dalke su nalke, i patëm thanë ruju, s’ka pas faj edhe ai çka ka ndodhë ma herët çka ka ky faj”.

Familja Aliu kishte ardhur në Ferizaj nga Drenasi vite më parë. Një nga fqinjët e familjes për ta foli fjalët më të mira, duke shtuar edhe se familja nuk kishte shumë kushtet e mira financiare, si dhe se ishin ende të tronditur nga rasti që kishte ndodhur në vitin 2016’të.

 Mentori ka lënë prapa, prindërit, dy motra si dhe vëllain, Meritonin i dënuar me 16 vite burg e sot mori leje nga burgu për ta varrosur të vëllain.

Dëshmitari kryesor, që ishte me Shqiprimin dje kur ndodhi rasti, sot pasdite po qëndronte në prokurori për të dhënë versionin e tij për rastin.

Ndërkaq, në shtëpinë e familjes Rexha në lagjen “Vëllezërit Gërvalla” të Ferizajt, gjatë ditës po qëndronin vetëm dy gratë e familjes, nëna dhe motra e dorasit.

Nëna e Shqiprimit e Samirit, e tronditur nga rasti, i tha Expressit se nuk e dinë as çka të thotë për atë se çka ka ndodhur.

 E njëjta thotë se nuk ka pasur asnjë informacion për atë që ndodhi, apo se djali do të merrte hak. “Tash, ama spo muj me fol as jo valla spo di çka me të thanë. Unë burrin se kam, burri më ka dek, djalin ma kanë mbyt, tjetrin ma shtinën në burg. Unë sen sdi. Pasha fminë, veç ni fjalë edhe shkurt po të tham, sa për familje tonë, sen skemi ditë”, deklarohet ajo.

E motra e tyre, vazhdon të deklarohet se nuk ka pas asnjë informacion, por, thotë se çka kanë pasur me ta përfundoi dje.

“S’dijm na kurgjo. Ju mundeni me shku, na çka kena me ta, ajo u kry. Na se kemi njet me fol diçka ma tepër”, thoshte ajo, duke mos dhënë përgjigje pse nuk i kishin vazhduar besën, apo për presonin që mund të ishte duke ja bërë daja i saj. Dëshmitarët e ata që njohin të dy palët janë deklaruar se së fundmi kishte pasur edhe një konflikt tjetër në mes të dy familje që kishte kaluar në përleshje fizike.

25’vjeçarit Mentor Aliut iu dha sot lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Polluzhë të Drenasit, ndërkaq, po atëherë, 17’vjeçarit, Shqiprim Rexha iu caktua masa e paraburgimit.

 “I mituri dyshohet se më 20 shkurt 2019 në Ferizaj, për motive të ulëta nga hakmarrja e paskrupullt, me dashje, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.A, në atë mënyrë që i ofrohet nga mbrapa dhe e qëllon me revole një herë në kokë dhe dy herë në shpinë dhe pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i mituri largohet nga aty, me ç’rast tani i ndjeri M.A ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Si kishte nisur historia Aliu-Rexha që përfundoi me dy vrasje?

Më 18 gusht të vitit 2016’të, rreth orës 18:00, në një banesë kolektive në rrugën “Rexhep Selimi”, Meriton Aliu, pas një përleshje që kishte pasur me Samir Rexhën do ta qëllonte atë me dy pluma, e i njëjti do të ndërronte jetë në vend të ngjarjes.

Në aktgjykim, thuhet se të dy këta ishin takuar atë ditë për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishin pasur më herët. Meritoni kishte pranuar para gjykatës se kishte kryer vrasjen, me arsyetimin se e kishte bërë këtë gjë për vetëmbrojtje, pasi që kishte një kohë që po kërcënohej nga Samiri dhe atë ditë ishte i pari që kishte kërcënuar me armë.

Para gjykatës i njëjti kishte thënë se Samiri po i thoshte “a mendon që nuk të nxa, apo ke mëndu se nuk të zateti kurrë, gjatë kohës kur të dy po futeshin në banesën kolektive, e duke i përsëritur se nuk kishte frikë të shkrepte armën”.

 Të dy këta njiheshin që nga shkolla fillore, e vetëm kohëve të fundit kishin pasur probleme të tilla, e atëherë kishin filluar edhe kërcënimet e Samirit për vrasje.

Meriton Aliu ishte dënuar me 16 vite burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...