Banorët e fshatrave në Ferizaj kërkojnë asfaltimin e rrugës

Ferizaj

Banorët e fshatrave në Ferizaj kërkojnë asfaltimin e rrugës

Më: 16 mars 2019 Në ora: 13:32
Banorët e fshatrave në Ferizaj kërkojnë asfaltimin e rrugës

Banorët në disa fshatra të Ferizajt po bëjnë jetesë të vështirë si pasojë e rrugës së pa asfaltuar pranë vendit ku banojnë.

Sipas tyre, nxënësit, por edhe të rriturit e punësuar e kanë të vështirë qarkullimin çdo ditë. Duke kërkuar asfaltim të rrugës, banorët e fshatit Bablak, Tërrn, Koshare dhe Luboc sot kanë protestuar në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, duke bllokuar për disa minuta këtë rrugë.

Pleq të rinj e edhe fëmijë, përmes një proteste paqësore, kanë kërkuar sot nga udhëheqësit komunal e qeveritar, që të merren me rrugën e këtyre fshatrave dhe të asfaltojnë atë, meqë si e njëjtë po u vështirëson jetesën.

Për te tretën herë në protestë, banorët e fshatit Bablak, Tërrn, Koshare e Luboc, kanë deklaruar se gjendja e rrugës ku ata banojnë është e mjerueshme, dhe pas shumë premtimeve nga shteti, ende nuk ka asnjë përmirësim në të.

Skënder Shabani, njëri nga banorët protestues tha se shumë njerëz kanë filluar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre si pasojë e problemeve të tilla.

Shabani: Po i braktisin shtëpitë shkaku i rrugëve të pa asfaltuara

“Ata që po kanë kushte nuk janë duke nejt, veç ata që nuk po kanë kushte nuk po kanë çka me ba e duhet me nejt, se ai që po ka kushte është duke lyp vend më të mirë, me të vërtetë kanë të drejtë. Krejt shkaku i rrugës, është elementare”, tha ai.

Në emër të protestuesve foli edhe Saranda Musliu, e cila tha se do të vazhdojnë me protesta.

Musliu: Do të vazhdojmë me protesta

“Do të vazhdojmë prap të protestojmë por është pak e rëndë dhe e keqe sepse nuk po mirren parasysh kërkesat. Deri kur ne do të vazhdojmë të luftojmë për kërkesat esenciale që secili banorë duhet t’i gëzojë”, tha ajo. 

Pjesë e organizimit ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri.

Nga protesta, ai i bëri thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të merret seriozisht me rregullimin e kësaj rruge.

Tahiri: I bëj thirrje kryeministrit Haradinaj të marrë më seriozisht këtë rrugë

“E kam mik të mirë zotin kryeministër Ramush Haradinaj, por po i bëj thirrje të merr më  seriozisht këtë rrugë meqenëse shumica e kemi mbështetë lidhur me taksën që i ka vu Serbisë, po le t’i vujë pikë kësaj të keqe që ka premtu ministri Pal Lekaj, dhe të gjitha qeveritë e kaluara dhe të marrë fund edhe kjo punë e kësaj rruge”, tha ai.

Tahiri tha se gjendja e rrugës për rreth 3 mijë banorët e këtyre fshatrave ka mbetur peng i politikës.

Tahiri: Vetëm 2 kilometra rrugë janë të asfaltuara

“Është shumë e dhimbshme pse të jetë ky fshat i madh me rrethinë, afër 3 mijë banorë a ma shumë, peng i politikës. E keni parë edhe nga krerët e shtetit dhe partive politike, prej komunës, edhe ministri Pal Lekaj edhe kryeministri kanë premtuar por nuk është realizuar akoma. Këtu ish dasht me qenë ministri Pal Lekaj, ish dasht me qenë zotëria ie OShP-së me shiku këtë rrugë së pari, e jo me ua mundësu kompanive për një mungesë të vogël me u anku e me shku prapë në vlerësim apo pikën zero, çdo projekt që është bo për këtë rrugë, madje 4 kilometra nuk janë të asfaltuara fare, vetëm 2 kilometra”, tha ai.

Protesta e banorëve ishte paqësore, e përcjellë edhe nga Policia e Kosovës. Ajo zgjati rreth 20 minuta, duke bllokuar magjistralen Prishtinë Ferizaj, e pastaj protestuesit u shpërndanë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat