Ferizaj shënon Ditën Botërore të Ujit

Ferizaj

Ferizaj shënon Ditën Botërore të Ujit

Më: 21 mars 2019 Në ora: 14:22
Ferizaj shënon Ditën Botërore të Ujit

Paraditen e sotme në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, me rastin e Ditës Botërore të Ujit është mbajtur një takim sensibilizues me nxënës të shkollave fillore në Komunën e Ferizajt, aktivitet ky i organizuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni” dhe Komuna e Ferizajt.

Jeton Shabani nga kompania rajonale për ujësjellës “Bifrukacioni”, duke folur për rëndësinë e ujit, tha se çdo ditë e më shumë po bëjnë përpjekje maksimale si kompani që qytetarëve ferizajas t’iu ofrojnë ujë të pijshëm cilësor.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, ka folur për rëndësinë e ujit të pijshëm në Komunën e Ferizajt, si dhe për projektet madhore që ka komuna jonë sa i përket ujësjellësit.

“Rëndësia e ujit është një mesazh, një reflektim i yni dhe i shoqërisë. Ky do të jetë shekull që do të bëjë përpjeke çdo shtet për sigurimin e ujit, në këtë shekull do të jetë luftë për sigurimin e ujit, ndërsa këta nxënës do të jenë dëshmitarë të kohës sa i përket kësaj fushate. Ne si qeverisje lokale bashke me Kryetarin Aliu po bëjmë maksimumin për mbulimin e infrastrukturës sa i përket ujit të pijshëm, ku shumë shpejt do të bëjmë edhe ndërtimin e fabrikës së Ujit në Talinovc së bashku me Shtrabakun e Austrisë”, tha Ferati.

Me këtë rast u bë edhe një prezantim nga menaxheri i departamentit operativ të ndërmarrjes “Bifurkacioni” Valdet Syla si dhe Minir Haxhimusa zyrtar i ambientit në Drejtorinë e Urbanizimit.

Ndërkaq zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thanë se uji i pijshëm në Ferizaj është qind për qind i sigurt për pije në bazë të analizave që bëhen çdo ditë.

Aktiviteti për shënimin e kësaj dite vijoi me një vizitë te Fabrika e Përpunimit të Ujit në Pleshinë, si dhe u bë shpërndarja e broshurave për qytetarë lidhur me rëndësinë e ujit të pijshëm.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat