Normalizohet gjendja pas zjarreve në malet e Ferizajt

Ferizaj

Normalizohet gjendja pas zjarreve në malet e Ferizajt

Më: 2 prill 2019 Në ora: 14:22
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qytetarë të papërgjegjshëm, me arsyetimin e pabazë të përgatitjes për sezonin e mbjelljeve, kanë ndezur zjarre ndaj të lashtave, të cilat me shpejtësi marramendëse janë shpërndarë në një tablo të gjerë të territorit malor të Ferizajt.

E gjitha, edhe nga hetimet policore që kanë nisur me intensitet të lartë ndaj kryesve të këtyre veprimeve, po rezulton të jetë realizuar qëllimshëm.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë të Ferizajt, Arben Halili dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, ka disa ditë që janë vazhdimisht në terren për të vizituar zonat e prekura nga zjarret.

Ata kanë vizituar terrenet e prekura malore në Burrnik, Semajë, Gurëz e Komogllavë si dhe zona të tjera me dëme më të mëdha.

“Dëmet nga zjarret fushore dhe malore të shkaktuara ditëve të fundit, janë të mëdha. Përveç botës bimore, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe për botën shtazore. E gjitha kjo nga papërgjegjshmëria dhe vetëdija e ulët qytetare që ka shkaktuar zjarrvënien”, thuhet në një njoftim të Komunës së Ferizajt.

Komuna e Ferizajt në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton se kanë nisur hetimet ndaj zjarrvënësve dhe se konform legjislacionit në fuqi do të shqiptohen edhe sanksionet përkatëse.

“Territori ynë malor është i dëmtuar tej mase nga zjarrvënia, zjarr që ka dal kontrolli dhe është përhapur përtej pronave private të shkaktuesve të zjarrit. Heronjtë e mbrojtjes nga zjarret në territorin e Ferizajt janë zjarrfikësit, të cilët të palodhur, në lartësinë e kryerjes me përkushtim të detyrës, duke rrezikuar, kanë arritur që ta normalizojnë gjendjen”, vijon njoftimi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat