Ferizaj marrëveshje me TIKA, priten investime madhore në bujqësi

Ferizaj

Ferizaj marrëveshje me TIKA, priten investime madhore në bujqësi

Më: 11 prill 2019 Në ora: 15:12
Agim Aliu dhe Hasan Burak Ceran

Ferizaj ka krijuar klimë të favorshme për investimet e huaja si dhe donacionet e ndryshme nga organizata ndërkombëtare.

I tillë ishte edhe takimi i sotëm i të parit të Ferizajt, Agim Aliu me drejtues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim “TIKA”, me ç ‘rast u nënshkrua marrëveshja e bashkëfinancimit në fushën e bujqësisë.

Pjesë kyçe e takimit të sotëm ishte marrëveshja e bashkëfinancimit, përfituese e së cilës është Komuna e Ferizajt, ku parashihet që të investohet një shumë prej 40,000 europ në mekanizmin bujqësor, përkatësisht pajisjet dhe veglat e nevojshme që do të shpërndahen tek dhjetëra bujq ferizajas.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, projektet e tilla si ky i sotëm i quajti politikë të qëndrueshme në fushën e bujqësisë dhe mundësi për vende të reja pune.

“Falënderoj TIKA që ka zgjedhur pikërisht Ferizajn që të ketë një mbështetje shumë të veçantë, pasi do të mbështesë projektet që kanë të bëjnë me prodhimtarinë, e cila është një mundësi që të kemi vende të reja pune. Ne kemi dorëzuar edhe një listë të projekteve që do të shikohen me mundësinë e mbështetjes së “TIKA”-së””, tha Aliu.

Ndërsa, Hasan Burak Ceran, koordinator i Agjencisë Shtetërore “TIKA” tha se synimet e kësaj agjencie janë të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik-social, me theks të veçantë rritjen e vendeve të punës.

“Jemi në Ferizaj për të përkrahur fushën e bujqësisë. E rëndësishme për ne është që në Kosovë të bëjmë rritjen e numrit të punëtorëve, prodhimtarinë dhe në këtë aspekt jam shumë i kënaqur që në Ferizaj po bëjmë një hap të tillë. Siç jeni te informuar ne kemi filluar aplikimin për zhvillim rural në Kosovë. Në këtë fazë kemi përfshirë 8 komuna dhe kemi dal me konkurs për të pranuar aplikimet për këto komuna. Uroj qe ky projekt të jetë për të mirën e Ferizajt”, tha Ceran.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat