KFOR-i zgjodhi Ferizajn për operacionin “Shpata e Argjendtë” - Bota Sot
KFOR-i zgjodhi Ferizajn për operacionin “Shpata e Argjendtë”

Ferizaj

KFOR-i zgjodhi Ferizajn për operacionin “Shpata e Argjendtë”

Më: 25 prill 2019 Në ora: 16:56
Foto

Ferizaj përgjatë tri ditëve ishte qendër në të cilën është zbatuar operacioni i simuluar i titulluar “Shpata e Argjendtë” organizuar nga KFOR-i, në të cilën zbarkuan delegacione të ndryshme institucionale, njësi shumëkombëshe të KFOR-it, drejtues e pjesëtarë ushtarak vendor e ndërkombëtar, Policia e Kosovës, FSK, staf i emergjencave civile, me qëllim testimin e njohurive dhe rritjen e përgatitjeve në rast të fatkeqësive natyrore.

Ky operacion i këtij lloji që po zbatohet për herë të parë në territorin e kësaj komune dhe ka mobilizuar një varg institucionesh lokale dhe qendrore të sigurisë me qëllim menaxhimin e situatës, pas simulimit- ushtrimit të kinse vërshimit të një pjese të territorit tonë nga lumi Neredime.

Për të parë nga afër gjithë këtë organizim të gjerë operativ, në Qendrën Operative Emergjente ishte i pranishëm gjatë këtyre ditëve vet kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, drejtorë tjerë komunal e përfaqësues të institucioneve të sigurisë, drejtoi operacionin e simulimit të organizuar nga KFOR-i dhe implementuar nga organet lokale të sigurisë. Ai në konferencën njoftuese për angazhimin treditor në këtë operacion bëri të ditur detajet e simulimit dhe angazhimin e gjithë forcave të sigurisë e organeve komunale në këtë drejtim.

“Siç e patë edhe nga demonstrimi që bënë ushtarakët e KFOR-it dhe drejtori i Shërbimeve Publike këto tri ditë me radhë, Ferizaj ishte qendër e një ushtrimi simulativ i quajtur “Shpata e Argjendtë”, në fakt para se të vijë deri tek simulimi i këtij ushtrimi, ne kishim takime muaj me parë me komandanten e KFOR-it të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes këtu në Ferizaj dhe takime përgatitore me komandën e KFOR-it të përgjithshëm për të vendosur që Komuna e Ferizajt, të jetë komunë e cila do të bart së bashku me komponentët tjera të sigurisë barrën e ushtrimit të “Shpatës së Argjendtë”. Le të me lejohet me këtë rast që të falënderoj të gjithë ushtarakët e KFOR-it, komandën e KFOR-it por edhe Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes për përzgjedhjen e bërë që Ferizaj ta ketë privilegjin që gjatë këtyre ditëve të bëjë këtë ushtrim, apo këtë simulim të këtij ushtrimi “Shpata e Argjendtë ”. Me vjen mirë që sot kemi rastin që para qytetarëve të bëjmë publike gjithë këtë prezencë të gjithë kësaj makinerie në sheshin e qytetit, sigurisht që edhe ata kanë pyetur se çka është duke ndodhur, ndërsa ajo se çka ka ndodhur është se ne kemi bërë një ushtrim të përbashkët, me këto komponentë të sigurisë në mënyrë që Komuna e Ferizajt të jetë e gatshme të përballet me sfida që mund të na paraqiten me raste të emergjencave të ndryshme. Vërtete ndihem i privilegjuar që si komunë, si qytetarë të falënderoj që gjatë gjithë këtyre tri ditëve në mënyrë të veçantë. Ne ditën kritike të simulimit e kemi pasur dje ku është dashur që për 24 orë të jenë më vigjilencë të lartë. Gjatë këtij operacioni kanë qenë të përfshirë mbi 200 zyrtarë të Komunës së Ferizajt, 120 policë të Rajonit të Ferizajt, 3 ekipe të FSK-së, si dhe ushtarakët e KFOR-it. Kanë qenë të përfshira edhe agjencitë të tjera, të cilat me këtë rast duhet të falënderoj Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, që kanë qenë të përfshirë gjatë gjithë kohës në këtë ushtrim, por edhe ekipet të tjera mbështetëse që ishin në këtë ushtrim. Ne jemi munduar që të faktojmë, të demonstrojmë kapacitete tona në dispozicion se sa janë në gjendje të gatishmërisë për t’u përgjigjur në situata të tilla. KFOR-i me kujdes të veçantë ka përzgjedhur njërën prej situatave që ne përballemi me shumë në raste emergjente dhe pikërisht kemi simuluar një situatë të tillë në mënyrë që në të ardhmen të jemi më të përgatitur që të përballemi me këto situata. Sigurisht se ka pasur dhe mund të kemi edhe nesër, unë vërtet së bashku me Komunën do të evitojmë çdo të metë të mundshme në mënyrë që të na shpërbej në të ardhmen që të jemi sa më të përgatitur, këto përvoja do t’i bartim edhe tek komunat tjera të Rajonit të Ferizajt” tha i pari i Ferizajt, A gim Aliu.

Ai para gazetarëve në këtë konferencë për media, lidhur me organizimin e operacionit të simuluar “Shpata e Argjendtë” u deklarua edhe Kolonel Macarace i cili tha se është privilegj të zbatohet ky projekt në Komunën e Ferizajt, partner ky i rëndësishëm i KFOR-it.

“Së pari falënderoj Komunën e Ferizajt dhe Bondsteel që është shumë afër këtu, ne kemi bashkëpunuar më partnerët komunal, ky ushtrim është planifikuar që një kohë të gjatë dhe arsyeja është që ne e kemi përzgjedhur Ferizajn, është arsyeja që ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me këtë komunë. Qëllimi i plotë i kësaj stërvitje do të thotë shkëmbimi i ideve. Ne jemi nga Haëai dhe shpesh përballemi me fatkeqësi natyrore, kemi vërshime, uragan, erëra të forta dhe ne jemi të trajnuar se si të përballemi me situata të tilla. Kur komandanti i KFOR-it erdhi me idenë që ta zhvillojmë këtë ushtrim, ne me shumë mirësi e kemi përzgjedhur Komunën e Ferizajt, në aspektin e implementimit të planit. Çdo njëri që ka marr pjesë këtu ka qenë i mrekullueshëm dhe stërvitja ka kaluar shumë mirë. Po ta kishin dëgjuar raportin më lartë, partneriteti me të gjitha agjencitë është implementuar në mënyrë mjaft të mirë dhe një gjë që dua ta theksoj ishte që ky aksion ka zgjatur 24 orë dhe dua ta theksoj se ka qenë një privilegj i madh që kam bashkëpunuar më Komunën e Ferizajt dhe besoj që këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Kur ndodh ndonjë fatkeqësi gjëja më ë mirë që mund të bëjmë është që të mbrojmë popullatën”, ka thënë Macarace.

Gjatë ditës në konferencën simuluese për medie dhe për të parë nga afër përgatitjet dhe angazhimin në këtë operacion qëndruan në Ferizaj edhe drejtues të lartë ushtarak e policor nga niveli qendror dhe lokal si Komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it, Lorenzo D’Addario, zv. Komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it, Rainhard Ruckenstuhl, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, Fadil Kodra nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant, Rrahman Rama, Gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Emin Beqiri, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara, si dhe dhjetëra ushtarak vendor e ndërkombëtar e përfaqësues të organeve të sigurisë.

Gjatë këtyre tri ditëve, Ferizaj pati rast të evidentoj me saktësi matematike të gjitha të metat në sistemin tonë reagues,mekanizmin e përgjithshëm të sigurisë, kapacitetet tona teknike dhe njerëzore si dhe mbulueshmërinë me këto kapacitete të territorit tonë në rast fatkeqësie natyrore. Mësimet e marra nga ky ushtrim, do të shkëmbehen edhe me komunat fqinje, kurse realizimi në terren i këtij operacioni simulues do të zbatohet në shtator të këtij viti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...