Në Ferizaj protestohet kundër betonimit të gjelbrimit

Ferizaj

Në Ferizaj protestohet kundër betonimit të gjelbrimit

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 23:59
Pamje nga protesta

Aktivistë të shoqërisë civile të udhëhequr nga OJQ “INPO”, përmes protestës kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit për të ndërtuar parking publik në parcelën e gjelbërt të ish – çerdhes publike në Ferizaj.

Protestuesit me pankarta në duar, protestën e nisën nga parku i çerdhes së vjetër, për të marshuar drejt sheshit të qytetit dhe objektit të Komunës së Ferizajt.

“Mos e betononi gjelbërimin”, ishte llogoja mbrojtëse e kësaj proteste, përmes së cilës u kërkua që të ndalet aktiviteti i administratës së Agim Aliut, e cila ka nisur të shkatërrojë parqet e qytetit një nga një.

Afrim Demiri, në emër të shoqërisë civile, tha se Ferizaj ka marrë dukjen e një pakete betoni dhe përgjegjësia për këtë bie direkt tek pushtetarët.

“Asnjë përpjekje e komunës nuk mund ta arsyetojë vendimin për shndërrimin në parking pothuajse të vetmit park të gjelbëruar në Ferizaj. Çdo arsyetim zyrtar nuk është asgjë më shumë se një demagogji dhe një fshehje e qëllimeve të ulëta përfituese. Nuk duhet të lejojmë shkatërrimin e parqeve dhe sipërfaqeve të gjelbërta, përgjegjësia për këtë shkatërrim bie direkt mbi papërgjegjësinë politike. Shikoni qytetin tonë si duket, si një paketë betoni, lumi i betonuar, rrugët pa asnjë dru, shumëkatëshet pa dritare, po i prejmë pyjet shekullore dhe po mbjellen pishat xhuxhe në saksi, kjo është politika mjedisore e qeveritarëve tanë”, u shpreh në emër të shoqërisë civile gazetari Afrim Demiri.Protestuesve nga shoqëria civile iu bashkangjitën edhe asambleistët nga Vetëvendosja dhe LDK-ja, të cilët thanë se ky park do të bëhej shumë i mirë me pak investime, duke e ripërsëritur se me vendimin komunal përveç se është shkelur ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, janë shkelur edhe politikat ambinetaliste.

Për protestën e shoqërisë civile, Kryetari i Komunës së Ferizajt tha se po bëhet zhurmë pa nevojë pasi ai do ta bëjë park atë vend por në një fazë tjetër, derisa vazhdoi të thotë se zmadhimi i kësaj çështje është bërë nga grupe dhe individë të caktuar. Aliu nuk e përjashtoi mundësinë që projekti Bashkimi i Qytetit mund të merr një pjesë të caktuar të kësaj parcele.

Burime të brendshme të projektit të “Gropës” japin indikacione se projekti do të “gëlltisë” edhe oborrin e shtëpisë së pensionistëve, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë fati i ndërtesës dhe banorëve të këtij lokacioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat