Pezullohet dhënia e lejeve të ndërtimit në Ferizaj

Ferizaj

Pezullohet dhënia e lejeve të ndërtimit në Ferizaj

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 13:48
Ferizaj

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, gjatë një takimi sot me drejtorët e drejtorive komunale diskutuan në lidhje me një varg temash të qeverisjes lokale.

Drejtorët e drejtorive komunale njoftuan të parin e Ferizajt për ecurinë e punës në zbatim të platformës qeverisëse dhe hapat që po ndërmerren në planin afatshkurtër në përmbushjen e objektivave të punës.

Ata bënë të ditura edhe pikat që kanë përgatitur për seancën e radhës të Kuvendit të Komunës dhe përgatitjet për dëgjimet buxhetore për hartimin e projekt-buxhetit 2020-2022, të cilat do të fillojnë qysh nesër.

Ndër vendimet më të rëndësishme që mori ekzekutivi lokal ishte edhe vendimi për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit, si masë efektive që do të mundësojë planifikimin e territorit dhe ndërtimet sipas kritereve dhe standardeve më të larta në këtë fushë.

Kryetari Aliu tha se për herë të parë pas 20 vjetësh, Komuna e Ferizajt po merr këtë hap të domosdoshëm për të frenuar keq-planifikimin e territorit dhe për t’i dhënë mundësi që me analizë paraprake të projektohen zonat dhe kushtet e ndërtimit.

Tema tjera që zunë vend në këtë diskutim ishte edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, i cili do të prezantohet në Kuvend në seancën e radhës që do të planifikohet ditëve të ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat