Për herë të parë, hapet Panairi i Librit në Ferizaj - Bota Sot
Për herë të parë, hapet Panairi i Librit në Ferizaj

Ferizaj

Për herë të parë, hapet Panairi i Librit në Ferizaj

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 12:42
Për herë të parë, hapet Panairi i Librit në Ferizaj

Në qytetin e Ferizajt sot është hapur Panairi i Librit, i cili organizohet për herë të parë në këtë qytet dhe do të jetë i hapur deri më 4 gusht.

Në hapje të panairit u tha se ky panair synohet që të bëhet i përvitshëm, me qëllim që libri të jetë më afër qytetarëve.

Ky panair është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe me këtë rast kreu i kësaj ministrie Kujtim Gashi, tha se Ferizaj po shndërrohet në një qendër që promovon librin.   

Gashi: Ferizaj po shndërrohet në qendër të promovimit të librit

“Ferizaj po shndërrohet nga një qendër ku zhvillohet biznesi dhe shumë ngjarje të tjera edhe në një çerdhe të promovimit të librit, të promovimit të shumë botimeve, të shumë autorëve, të shumë shtëpive botuese. Jam shumë i lumtur po ashtu që një pjesë e madhe e botimeve janë të financuara nga ministria e Kulturës dhe kjo më bënë të ndjehem jashtëzakonisht mirë, që si ministër gjatë vitit 2018, e posaçërisht gjatë vitit 2019 i kemi dhënë një prioritet të veçantë librit. Jemi munduar që të gjithë ata që e duan librin, jetojnë me librin, ta kenë edhe përkrahjen e ministrisë” tha ai.

Ai tha se gjatë këtij viti MKRS ka furnizuar me libra të gjitha bibliotekat ndërkomunale në Republikën e Kosovës. Po ashtu, ai tha se i kanë furnizuar bibliotekat në Luginën e Preshevës, Tuzit dhe bibliotekën e ushtrisë së Kosovës.

Kreu i MKRS-së ka paralajmëruar se në vitet në vijim do të jenë edhe më shumë në fokus ata që botojnë libra.

Gashi: Viteve të ardhshme do të jenë edhe më në fokus edhe ata të cilët botojnë libra

“Viteve të ardhshme do të jenë edhe më në fokus edhe ata të cilët botojnë libra, autorët, shtëpitë botuese do të kenë mbështetjen e fuqishme edhe timen si ministër po edhe të MKRS, sepse kemi bërë një kornizë të mirë përkrahëse, mbështetëse për të gjithë dashamirët e librit”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se Panairi i Librit për qytetin që e drejton është kryengjarja e të gjitha ngjarjeve kulturore që organizohen.

Aliu: Sot është kjo kryengjarja e të gjitha ngjarjeve

“Jemi në një ngjarje tepër të veçantë për Komunën e Ferizajt, tepër të veçantë për qytetarët, për krijuesit, lexuesit dhe për shtëpitë botuese. Po e them është tepër e veçantë për faktin se Ferizaj tashmë i njohur me epitetin e zhvillimit të shumë ngjarjeve kulturore, e madje me epitetin e kryeqytetit kulturor kishte një ngjarje të munguar. Kishte një ngjarje që nuk e plotësonte këtë kolorit të këtyre ngjarjeve, e që ishte kulmi, ishte kupola e të gjitha ngjarjeve të tjera dhe nuk do të kishte kuptim që gjithë ato derivate të eventeve kulturore të mos kishin kupolën e tyre, të mos kishim librin, respektivisht të mos kishim panairin e librit. Prandaj, sot është kjo kryengjarja e të gjitha ngjarjeve dhe eventeve e festivaleve dhe të gjitha angazhimeve kulturore që janë bërë dhe po bëhen në bashkëpunim mes Komunës së Ferizajt dhe MKRS-së”, tha ai.

Ai tha se shumë projekte po bëhen në bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Ferizajt, ku ka përmendur se janë në proces të fillimit të ndërtimit të Pallatit të Kulturës.

Panairi i Librit në Ferizaj ka filluar sot dhe do të zgjasë deri me 4 gusht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...