Rekomandohet sigurimi fizik në objektet e shkollave të Ferizajt

Ferizaj

Rekomandohet sigurimi fizik në objektet e shkollave të Ferizajt

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 15:39
Pamje nga takimi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e katërt ka vlerësuar sigurinë e përgjithshme në territorin e Ferizajt si të qetë dhe stabile, ndërsa u kërkua vendosja e sigurimit fizik në objektet shkollore me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative në mesin e nxënësve.

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, klerit fetar, drejtuesve e përfaqësuesve të institucioneve edukative, komunitete joshumicë e shoqëri civile, të prirë nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati, për dy orë diskutuan për sigurinë në shkolla, vetëdijesimin e të rinjve për evitimin e përdorimit të substancave narkotike dhe një varg çështjesh të tjera të aspektit të sigurisë në nivelin lokal.

Siguria në shkolla ishte tema që shteroi shumë nga diskutimet, me ç’rast u ngritën shqetësime nga të pranishmit, veçanërisht përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, pjesëmarrëse në këtë mbledhje.  Ajo, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për funksionimin e mekanizmit që drejton dhe sfidat e sigurisë në shkolla, tha se është domosdo që të vendoset sigurimi fizik në objektet shkollore me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative në mesin e nxënësve.

Këtë propozim e mbështeti fuqishëm drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani i cili tha se qeverisja lokale ka gjithë interesimin dhe vullnetin që ta ndërtojë një sistem të mirëfilltë sigurie dhe cilësie në arsimin lokal e që ndër masat kryesore për të arritur këtë objektiv është edhe ky i propozuar sot.

Me miratimin e të pranishmëve, mbeti që në afat optimal të iniciohet procedura përkitazi me këtë shërbim në të gjitha shkollat e Ferizajt.

Ndryshe, pika tjera diskutimi në këtë mbledhje ishin edhe trajtimi i lëmosh-kërkuesve, siguria në sheshet e qytetit, funksionimi i mekanizmave të përkujdesjes sociale, si dhe infrastruktura e sigurisë në përgjithësi në Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat