Ferizaj, festë pa incidente dhe me urimet për mbarësi në Vitin e Ri - Bota Sot
Ferizaj, festë pa incidente dhe me urimet për mbarësi në Vitin e Ri

Ferizaj

Ferizaj, festë pa incidente dhe me urimet për mbarësi në Vitin e Ri

Më: 1 janar 2020 Në ora: 13:13
Foto

Siç tashmë është bërë traditë, drejtues të institucioneve lokale, përkatësisht Komunës së Ferizajt, në minutat e parë të Vitit të Ri 2020, vizituan institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë, që kishin organizuar kujdestarinë e shërbimit me rastin e ndërrimit të moteve.

Nënkryetari i Komunës, Naim Ferati, bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani dhe atë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies, Bekim Ademi, shoqëruar edhe nga drejtori i Komandës Regjionale të Policisë së Kosovës në Ferizaj, Emin Beqiri, uruan punonjësit e angazhuar me kujdestari për natën festive të Vitit të Ri.

Numri dy i Komunës së Ferizajt me urimet për mbarësi në Vitin e Ri 2020 për çdo familje ferizajase, tha se punonjësit e përkushtuar të këtyre sektorëve të rëndësishëm të shoqërisë janë meritorët e tejkalimit pa rreziqe të natës së ndërrimit të moteve, duke ofruar shërbimin e tyre 24-orësh për rastet e paraqitura.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Stacioni Policor i Policisë së Kosovës në Ferizaj dhe Brigada e Zjarrfikësve ishin institucionet që u vizituan mbrëmë nga krerë të qeverisjes lokale.

Nga raportimet e institucioneve gjegjëse, Ferizaj mbrëmë kaloi natën e ndërrimit të moteve pa ndonjë rast ku kërkohej intervenim i shpejt dhe me rrezikshmëri.

Me urimet që 2020-ta të çel me më shumë shpresë e dashuri, fat e mbarësi për të gjithë, nisën urimet për qytetarët ferizajas nga kryetari i Komunës, Agim Aliu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat