Kryetari i Ferizajt mobilizon kryetarët e fshatrave e lagjeve: Respektoni masat parandaluese

Ferizaj

Kryetari i Ferizajt mobilizon kryetarët e fshatrave e lagjeve: Respektoni masat parandaluese

Më: 17 mars 2020 Në ora: 17:18
Foto nga arkivi

Gjendja e emergjencës së shëndetit publik, si rrallë Komuna tjera, ka mobilizuar Komunën e Ferizajt. Është kreu i kësaj komune, njëkohësisht edhe kreu i Shtabit Emergjent, Agim Aliu që në baza ditore bashkë me profesionistët e fushës, po bën analizën e gjendjes dhe po ndërmerr veprime konkrete në parandalimin e paraqitjes e përhapjes së virusit COVID-19 apo i njohur si CoronaVirus-i.

Për këtë sot, i pari i Ferizajt, Agim Aliu vendosi kontakt me kryetarët e fshatrave dhe lagjeve që të ndikojnë në shpërndarjen sa më masive të mesazhit për shmangien e lëvizjeve e daljeve të shpeshta dhe njoftimin me rastet, potencialisht të dyshuara e kryesisht bashkëqytetarëve të ardhur nga shtet europiane me risk të lartë të epidemisë.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, drejtuar kryetarëve të fshatrave dhe bashkësive lokale:

Të nderuar Kryetarë të Fshatrave dhe Bashkësive Lokale!

Duke marr shkas nga gjendja emergjente në të cilën ndodhemi si rrjedhojë e virusit COVID-19 i njohur si CoronaVirus-i, dua t’u parashtroj dy njoftime e kërkesa të rëndësishme për ju:

1. Ju lutem ta shpërndani në gjithë lokalitetin që ju përfaqësoni, mesazhin se duhet të shmangen lëvizjet e panevojshme, daljet e shpeshta si dhe t’u kërkoni banorëve respektimin e udhëzimeve të Qeverisë si masa mbrojtëse

dhe

2. Të njiheni me bashkëfshatarët, bashkëqytetarët në zonën tuaj, apo mysafirët e ardhur nga shtetet europiane me rrezik të lartë nga kjo pandemi siç është Italia, Gjermania, Zvicra, Britania e Madhe, Franca dhe vende të tjera. T’i kërkoni atyre te vetizolohen për 14 ditë në mënyrë që të mos përhapin eventualisht këtë virus tek të tjerët, si dhe t’i kontaktoni autoritetet shëndetësore për çdo rast të dyshuar.

Kërkojmë nga ana juaj, me kujdes e pa panik, të menaxhoni këtë situatë në zonat tuaja si dhe për çdo rast të dyshuar të na njoftoni përmes sms-it.

Me respekt,
Agim Aliu
Kryetar i Komunës së Ferizajt

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat