Në mesin e të infektuarve me COVID 19 në Ferizaj edhe një mjek - Bota Sot
Në mesin e të infektuarve me COVID 19 në Ferizaj edhe një mjek

Ferizaj

Në mesin e të infektuarve me COVID 19 në Ferizaj edhe një mjek

Më: 23 prill 2020 Në ora: 12:16
Ferizaj

93 persona janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19 në Ferizaj. Kjo komunë po prin me numrin e personave të infektuar me koronavirus në Kosovë. Tri rastet e fundit u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës, kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës publikoi rastet e reja me koronavirus. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar se në mesin e personave të konfirmuar me COVID-19 është edhe një mjek i spitalit regjional të kësaj komune

Tre persona nga Ferizaj u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës me COVID-19, duke çuar në 93 numrin e të prekurve me virus në këtë komunë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar se personat që u konfirmuan me COVID-19 mbrëmë, janë raste kontakti të personave që janë konfirmuar më herët.

“Rastet e mbrëmshme janë raste të kontakteve të personave që janë konfirmuar me COVID-19 më herët në komunën tonë. Në mesin e tyre është edhe një urolog që punon në Spitalin Regjional të Ferizajt. Ndërkaq dy personat tjerë janë bashkëshortet e dy punëtorëve të Bonstillit”, ka thënë Aliu.

Aliu theksoi se janë në gjurmim të kontakteve që personat e prekur me COVID-19 mund të kenë pasur me familjarë të tyre apo me njerëz të tjerë.

“Jemi në përpilim të listave të kontakteve që mund të kenë pasur këta persona. Momentalisht nuk kemi ndonjë numër të personave që do të testohen, pasi gjatë ditës do t’i gjurmojmë të gjitha kontaktet e mundshme të tyre”, ka theksuar Aliu.

Aliu tha se gjendja me furnizime me materiale shpenzuese në QKMF’të e Ferizajt momentalisht është e mirë.

Ndërkaq tha se qytetarët po i respektojnë masat e dala nga qeveria, për të qëndruar në shtëpi. Derisa theksoi se ka nevojë për më shumë prezencë të policisë.

Aliu bëri të ditur për mediat vendore se deri më tani në Ferizaj është vetëm një person i shëruar, derisa një ka vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Ndërkaq në Klinikën Infektive të QKUK’së po trajtohen katër persona nga komuna e Ferizajt me COVID-19.

Sipas Aliut, gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me OVID-19 deri më tani në Kosovë ka shkuar në 630.

Nga ta, 138 persona janë shëruar, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 18 persona.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat