Shpërthen rregullatori i bombolës së oksigjenit në spitalin e Ferizajt, lëndohet një person

Ferizaj

Shpërthen rregullatori i bombolës së oksigjenit në spitalin e Ferizajt, lëndohet një person

Më: 24 gusht 2020 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, mëngjesin e sotëm ka ndodhur një incident me bombolën e oksigjenit të cilat shërbejnë për pacientët me COVID-19. Rregullatori i njërës prej bombolave ka pëlcitur, duke shkaktuar kështu lëndime te një person i cili po qëndronte në spital bashkë me babanë i cili është me koronavirus.

Po qëndronte në spital për t’u kujdesur për babanë me COVID-19.

Por mëngjesin e sotëm u lëndua pasi në dhomën ku po qëndronin shpërtheu rregullatori i bombolës së oksigjenit.

Ai lëndoi dorën, duke i dalë në mbrojtje babait me COVID-19.

Se ka pasur një shpërthim në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, e ka konfirmuar edhe drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi.

Ademi e ka quajtur këtë incident të vogël.

“Po ka pasur një ekses të vogël ku ka pëlcitur rregullatori i bombolës dhe jo bombola, dhe ka lënduar lehtë dorën njëri nga përcjellësit e pacientit”, ka deklaruar Ademi.

Një rast i njëjtë ka ndodhur në fillim të këtij muaji në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Aty një pacienteje me COVID-19 i ka shpërthyer bombola e oksigjenit dhe ka pësuar djegie të duarve.

“Unë jam që 12 ditë e shtrirë në klinikë dhe vazhdimisht kemi pasë probleme me mungesë të oksigjenit për pacientët që nuk mundeni me i kry të gjitha shërbimet në dhomë. Janë bombolat më të vogla me të cilat mund të dalësh jashtë dhomës për në banjë”, ka thënë ajo për televizionin publik.

Ajo ka treguar se problemi ka ardhur pasi nuk kishte se kush t’i ndihmonte për nevojat personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat