Dumoshi: Mural-fest në Ferizaj, një diplomaci kulturore

Ferizaj

Dumoshi: Mural-fest në Ferizaj, një diplomaci kulturore

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 14:45
Dumoshi

Kënde të ndryshme në qytetin e Ferizajt janë mbuluar me murale nga artistë të shumtë nga vendet e ndryshme të botës.

Mural-fest që po mbahet në Ferizaj është konsideruar nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si një diplomaci kulturore për vendin.

Ministrja Vlora Dumoshi, teksa ka vizituar muralet e këtij qyteti, tha se ky lloj arti i rrugës që përçojnë mesazhe, e bëjnë qytetin e më fisnik.

Dumoshi: Muralet dhe diplomacia kulturore

“Ky është arti i rrugës, arti i muraleve ku e bën qytetin më fisnik, nuk kanë vetëm vizatime dhe ngjyrosje, por janë mesazhe të cilat jepen nëpërmjet këtyre muraleve. Në këtë kohë pandemie, kemi thënë se arti nuk burgoset, por ai depërton. Shembulli më i mirë është që sot në Ferizaj qëndrojnë 15 artistë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Barcelonës dhe shumë vendeve të tjera, të cilët përveç vizatimeve e figurave që i bëjnë ata, mishërohen edhe me traditën tonë. Është duke u kryer një mural që lidhet me traditën e trashëgimisë shqiptare, kurse vajza që ka bërë këtë punim është nga Barcelona. Pra, edhe kësaj i themi diplomaci kulturore”, tha Dumoshi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu tha se ky qytet është origjina e muraleve, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për artin.

Aliu: Ferizaj është origjina e muraleve

“Jemi këtu në Ferizajn e muraleve, në fakt është vetë origjina e muraleve që me shumë hijeshi dhe begati të këtij epiteti i kanë dhënë artistët. Ferizaj është i mbuluar me shumë nga muralet. Kjo njëherësh dëshmon se bashkë me Ministrinë e Kulturës jemi të përkushtuar që të mbështesim aktivitetet e këtij lloji, të cilat kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për Ferizajn, por edhe miqtë tanë”, tha Aliu.

Ministrja Dumoshi pas kësaj vizite ka qëndruar edhe në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, ku takoi të rinj ferizajas. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat