Kryetari i Ferizajt për vdekjen e Valentinës: U shua në lulen e rinisë, fjalët nuk kanë forcë ta përshkruajnë pikëllimin

Ferizaj

Kryetari i Ferizajt për vdekjen e Valentinës: U shua në lulen e rinisë, fjalët nuk kanë forcë ta përshkruajnë pikëllimin

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 20:13
Agim Aliu

Valentina Ibrahimi, 24-vjeçare nga Ferizaj, ka vdekur sot pasi nuk mundi t’i përballojë sëmundjes. Ajo para disa ditësh ishte diagnostikuar me leukemi akute.

Për këtë ka reaguar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Valentinës. Ai përmes një postimi në Facebook, falënderoi të gjithë ata që u përpoqën t’i ndihmonin asaj.

“Një yll iu bashkua qiellit sonte. Shpirti i bardhë i Valentina Ibrahimit, nuk arriti ta mposhtë të fshehtën sëmundje që për pak ditë ia mori jetën. Në lulen e rinisë, u shua e reja që preku zemrat e mijëra bashkëqytetarëve që u ngritën në këmbë, përpjekjet tona dhe të qindra vullnetmirëve, ishin për të ndihmuar në shërimin e saj”, ka shkruar Aliu.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Ibrahimi nga Ferizaj.

“Shumë dhembje, shumë lot. Fjalët nuk kanë forcë ta përshkruajnë pikëllimin. Ngushëllime familjes Ibrahimi, shokëve e shoqeve të Valentinës, aktivistëve e të gjithë kontribuesve që u solidarizuan për shërimin e saj”, ka shkruar Aliu.

Lajmin për vdekjen e Valentinës e ka konfirmuar motra e të ndjerës.

Për shërimin e saj u deshën rreth 300 mijë euro, ku Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 30 mijë euro, kurse për mbledhjen e mjeteve tjera financiare u angazhuan shumë qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat