Ibrahim Bungu, një qytetar nga Ferizaj, pa një portofol nën rrotën e veturës dhe menjëherë e dorëzoi në polici, me 648 euro brenda.
Në stacionin policor në Shtime informojnë se ditët e fundit kanë qenë dy raste më specifike të raportimit të gjetjes së portofolit me dokumente e para rreth 900 euro.
“Ditëve të fundit ka reflektuar mirë edhe tek qytetarët është një vetëdijesim i qytetarëve që edhe besimi tek policia edhe një bashkëpunim i mirë edhe me qytetarët që po reflekton edhe në të mirën e qytetarëve që një dukuri e tillë që të shkojë në procedura policore, përmes policisë kthehen tek qytetari parat e gjetura apo sendeve të tjera”, ka konfirmuar Haxhi Behluli, komandant i Stacionit Policor në Shtime.
Qytetari Ibrahim Bungu ka një mesazh për të gjithë ata që hasin në portofol me para.
“Të hollat e huaja nuk bëhen të tuajat kështu që ma mirë është që çdo send që gjendet me tregu me lajmërua”, ka thënë ai.
Para disa ditësh edhe një qytetar nga Hani i Elezit ka vepruar ngjashëm, duke dorëzuar mjetet te policia e më pas edhe te pronari që i kanë humbur ato.