Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt është shndërruar në një hapësirë më të ngrohtë dhe mikpritëse, falë rinovimeve të bëra gjatë vitit të kaluar. Ambienti i ri ofron rehati dhe siguri për fëmijët që marrin trajtim, por edhe qetësi për prindërit që i shoqërojnë ata në këto momente.
Gjatë vitit të kaluar, mbi 500 fëmijë kanë gjetur kujdesin e nevojshëm pikërisht në këtë repart, i cili ofron shërbime pediatrike të përgjithshme.
Reparti i rinovuar përfshin tri dhoma për pacientët e shtrirë, një dhomë triazhimi dhe gjithsej 9 shtretër, duke e bërë të mundur një trajtim sa më dinjitoz dhe të personalizuar për secilin fëmijë.
Pediatri i këtij spitali, Fikret Ajeti, thotë se gjatë vitit të kaluar në 83% janë shfrytëzuar kapacitetet e shtretërve.
Ajeti: Vitin e kaluar janë hospitalizuar 512 pacientë
“Aktualisht si personel i kemi gjatë pediatër të angazhuar dhe 11 infermiere. Kapacitetet për hospitalizime janë nëntë shtretër në tri dhoma, është edhe një dhomë e triazhimit ku aty fillimisht vizitohet pacienti, përcillet dhe varësisht prej vlerësimit të mjekut për lëshim ambulantor ose hospitalizim, vendoset në pjesën e shtretërve që janë për hospitalizime. Gjatë vitit të kaluar, nëse e marrim si pikë referuese 2024, si indikator të punës nuk ka qenë edhe keq – përafërsisht 83% si shfrytëzueshmëri e kapaciteteve, që janë me diku 512 hospitalizime, me një mesatare ditë shërbimi afër 5.3. Këtu ofrohen shërbime pediatrike të përgjithshme”, theksoi ai.
Që në hyrje të repartit të Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm “15 Qershori” në Ferizaj, të përshëndet një atmosferë e krijuar me dashuri – një hapësirë që flet gjuhën e fëmijëve. Muret shumëngjyrëshe, ulëset plot ngjyra dhe figurat e animuara që zbukurojnë ambientin e bëjnë të qartë se kjo është një botë e vogël, e ndërtuar posaçërisht për të vegjlit.
Përmes ngjyrave dhe krijimtarisë, synohet që trajtimi të ndjehet më shumë si lojë dhe më pak si procedurë spitalore.
Sipas Ajetit, i cili është edhe drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “15 Qershori”, këto ndryshime janë realizuar gjatë vitit të kaluar si pjesë e një vizioni më të gjerë për përmirësimin e shërbimeve pediatrike dhe krijimin e një ambienti ku fëmijët ndihen të sigurt, të mirëpritur dhe të kuptuar.
Ajeti: Rinovimet janë bërë vitin e kaluar me qëllim të krijohet komoditet për fëmijët dhe familjarët
“Duke u nisur nga fakti që është ambient i trajtimit për fëmijë, kemi dashur që t’ua ofrojmë një ambient më të pranueshëm për fëmijë. Me ndërhyrjet në vitin e kaluar, në muajin prill-maj, ka përfunduar rinovimi i këtij reparti. Diçka tash është situatë ndryshe. Tek dhoma e triazhimit e kemi parë të arsyeshme të vendosim edhe një televizor që të përcjellin diçka dhe t’u tërheqë vëmendjen... Gjithashtu ka pasur pak ndërhyrje te kuzhina që është e dedikuar për nënat në përgatitje të ushqimit këtu ose për pjesën që e kanë pasur të nevojshme. Por tash, krahasuar me vitin e kaluar, është një ambient më relaksues për syrin e fëmijës, por edhe familjari ndjen një komoditet për vendin ku ka vendosur ta trajtojë fëmijën”, tha ai.
Pediatri, Fikret Ajeti, thotë se terapia parenterale është gjithmonë në dispozicion për pacientët, ndërsa barnat që nuk janë pjesë e listës esenciale duhet të sigurohen nga vetë pacientët.
Ajeti: Jemi të furnizuar me terapi parenterale, antipiretik si dhe rehidrime orale
“Si terapi parenterale që jepet këtu, jemi të mbuluar. Ndërsa nëse është diçka terapi orale, si zakonisht mund të plotësohet nga jashtë. Por edhe për terapi orale diçka, diçka ka – te moshat pediatrike si antipiretik (paracetamol, ibuprofen) ose edhe rehidrimet orale kur vendosim me i bë, por nëse është diçka jashtë listës esenciale, kuptohet se duhet të plotësohen”, theksoi pediatri i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.