Brenda pak muajve pesë herë përfshihet nga zjarri një shtëpi në Talinoc të Ferizajt, lëndohet një zjarrfikës

Ferizaj

Brenda pak muajve pesë herë përfshihet nga zjarri një shtëpi në Talinoc të Ferizajt, lëndohet një zjarrfikës

Më: 9 qershor 2025 Në ora: 19:34
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjatë muajve të fundit një familje në Talinoc të Muhaxherëve në Komunën e Ferizajt po përballet me dëme të vazhdueshme që po u shkarkohet nga zjarri. Është hera e pestë që kësaj familje po i ndezët zjarri brenda shtëpisë.

Me gjithë intervenimin e shpejtë të zjarrfikësve, të hënën pasdite, zjarri ka përfshirë pjesën më të madhe të shtëpisë duke shkaktuar dëme të mëdha. Njëri nga zjarrfikësit ka marrë lëndime të lehta derisa po e lokalizonte zjarrin.

Shefi i ndërrimit të zjarrfikësve në Ferizaj, Milazim Musliu, ka thënë për Telegrafin, se është hera e psetë brenda pak muajve që të njëjtës shtëpi po i vendoset zjarri.

‘’Ne i bëjmë raportet tona dhe me këtë rast tashmë është duke u marrë edhe Policia e Kosovës, pasi që është shqetësuese se për herë të pestë kjo shtëpi po përfshihet nga zjarri. Megjithatë ne si zjarrfikës po intervenojmë me urgjencë për fikjen e zjarrit. Kësaj here zjarri ka përfshirë pjesën më të madhe të shtëpisë dhe dëmi është mjaftë i madh’’, ka thënë Musliu.

Anëtarët e kësaj familje nuk kanë dashur të flasin lidhur me rastin, ndërkaq muaj më parë atyre ua patën rinovuar shtëpinë disa bamirës dhe ishte në fazën finale për mobilimin e saj.

Agon Zhinepotoku, njëri prej organizatorëve për renovimin e kësaj shtëpie, ka thënë se është e dhimbshme se si kjo familje po përballet me këto dëme të mëdha për pesë herë me radhë.

‘’Shumë e dhimbshme të digjet për të pestën herë shtëpia a familjes S. në Talinovc të Muhaxherëve. Fatmirësisht fëmijët janë mirë, lëndime të lehta ka e zoja e shtëpisë dhe një zjarrfikës. Kur ne po bëheshim gati t’i sillnim mobiliet të gjitha, pasi që morëm përsipër ta kompletojmë, sot i doli flaka përsëri. Po na duhet një banesë dy dhoma me qera. Dhimbje, ama shumë shpresoj se do të ketë shpresë për këtë familje, se Ferizaj ka zemër të madhe e shumë bamirës që do t’i dalin ndihmë kësaj familje’’, ka thenë Zhinepotoku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat