Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar raportin mujor mbi masat policore ndaj shoferëve që përdorën telefonin gjatë ngasjes së automjetit. Pas përfundimit të fushatës sensibilizuese “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, e cila nisi më 6 tetor 2025, janë ndërmarrë veprime konkrete kundër shkelësve të këtij rregulli.
Gjatë periudhës sensibilizuese, policia zhvilloi ligjërata në shkolla, takime me qytetarë dhe shpërndau fletëpalosje me mesazhe vetëdijesuese për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte parandalimi i aksidenteve dhe ngritja e vetëdijes për sigurinë në komunikacion.
Si rezultat i kontrolleve të kryera gjatë muajit tetor 2025, 329 shoferë janë gjobitur për përdorim të telefonit gjatë ngasjes – një shkelje që, sipas policisë, vazhdon të jetë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në rrugë.
Policia apelon që shoferët të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo shpërqendrim, duke paralajmëruar se kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt.
Qytetarët ftohen të raportojnë shkeljet në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke u siguruar se çdo informacion trajtohet me konfidencialitet të plotë.