Qytetarët e Ferizajt mbështesin nismën për ndryshimin e Kodit Penal

Ferizaj

Qytetarët e Ferizajt mbështesin nismën për ndryshimin e Kodit Penal

Më: 11 gusht 2026 Në ora: 12:05
Fotoilustrim

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur sot në Sheshin e qytetit në Ferizaj mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas IKD-së, që nga orët e paradites ka pasur interesim të qytetarëve për t’u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimet e tyre. Nismën e kanë mbështetur edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Sipas IKD-së, këto ndryshime synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë sot deri në orën 15:00, ndërsa IKD ka ftuar qytetarët e Ferizajt të vizitojnë stendën informuese dhe ta mbështesin nismën me nënshkrimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat