Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në marketin e pompës së derivateve “Hib Petrol” në Ferizaj, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe së bashku me një të mitur, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.
Rasti dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një vit më parë në Zvicër.
Sipas kërkesës për paraburgim, të dyshuarit fillimisht e kanë përcjellë të dëmtuarin me veturë dhe, pasi ai ka hyrë në market, kanë dalë nga automjeti. Në atë moment, D.A. dyshohet se ka nxjerrë nga xhepi një mjet të mprehtë – thikë, me të cilën e ka goditur të dëmtuarin një herë në pjesën e majtë të abdomenit.
Ndërkohë, A.A. dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i mituri dyshohet se e ka goditur atë me një mjet të rrezikshëm – shkop druri.
Si pasojë e sulmit, i dëmtuari ka kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Prokuroria ka vlerësuar se me këto veprime, të pandehurit, në bashkëkryerje, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit D.A. dhe A.A., që nga 13 gushti, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale për të cilën dyshohen.