Të rinjtë e Ferizajt ftohen publikisht të shkojnë në ISIS

Ferizaj

Të rinjtë e Ferizajt ftohen publikisht të shkojnë në ISIS

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 12:00
Pamje nga djegja e diplomave

(E plotësuar)- Anëtarët e organizatës “Demokracia Studentore” kanë djegë diplomat e fotokopjuara për të treguar se në Ferizaj nuk ka më vend për ata që studiojnë dhe diplomojnë, dhe se ky vend është bërë vatër e nepotizmit dhe klientelizmit partiak.

Mexhit Ramusa kryetar i kësaj organizate theksoi se janë të detyruar t’i djegin diplomat sepse nuk po gjejnë punë dhe kryetari i Ferizajt sipas tij po punëson militantë të partisë së tij pa diploma dhe po i diskriminon të diplomuarit.

“Pasi që komuna dhe kryetari Muharrem Sfarqa po punëson njerëz të cilët janë militant të partisë politike dhe i përkasin partisë së LDK-së dhe nuk po i jep qasje asnjë student të punësohet, për këtë ne kemi marrë vendim që t’i djegim diplomat dhe të tregojmë që edhe ne mundemi me punuar. Arsyeja tjetër, përse ne kemi djegur diplomat është se, nëse kryetari po punëson njerëz pa diploma atëherë neve çka na duhen diplomat”, tha Ramusa.

Edhe ish -mësimdhënësi Beqir Beqiri dogji certifikatën e diplomës së vajzës së tij meqë nuk ka arritur të punësohet për gjashtë vjet, e cila ka konkurruar mbi 20 vende për punë. Ai tha se të gjitha konkurset që dalin në këtë komunë janë mashtruese dhe ka vetëm maltretime për qytetarët.

Nga dëshpërimi Beqiri ka bërë një thirrje të pazakontë për të rinjtë duke u thënë që të shkojnë në organizatën terroriste ISIS, sepse sipas tij këtu në Kosovë nuk ka perspektivë.

“Unë me qenë në vend të tyre kisha shkuar në ISIS e askund tjetër... unë me qenë sikur këta e thyej këtë komunë, por këta janë të urtë... Ekzistenca, buka të çon. Ku me shkua? Ka mbaruar fakultet m’u sjellë rrugëve. Është mëkat i madh për këtë shtet. Të gjithë këta breza janë sakrifikuar për këtë rini”, tha Beqiri.

Këto akuza të studentëve i ka hedhur poshtë nënkryetari i komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, i cili tha se këta studentë janë të manipuluar, dhe sipas tij, kjo komunë nuk punëson militantë partiakë.  Lidhur me ftesën e  Beqirit për të shkuar në ISIS, Zariqi tha se të diplomuarit mund të shkojnë kah të duan duke thënë se “Udha e mbarë iu qoftë, le të shkojnë ku t’iu bie më mirë”.  Ai tha se në Kosovë nuk ka të papunë, por ka pa punëtorë.

“I pash pak, dhe personat në fjalë jo që kanë djegur diploma, por ata ndodhë që nuk kanë as certifikata të lindjes. Nuk e di qe sa vjet janë studentë në fakultet , por që kurrë s’kanë diplomuar dhe fatkeqësisht që i manipulojnë disa të rinj kinse ata janë studentë të shkëlqyeshëm... realiteti nuk është ashtu, komuna nuk ka asnjë obligim që t’iu gjejë vende të punës të gjithë atyre që diplomojnë... Personat në fjalë nuk është hera e parë që veprojnë në forma të tilla, ngaqë nuk kanë me çka me u marrë... komuna nuk ka militantë, sepse komuna është institucion i përgjithshëm i gjithë qytetarëve”, tha Zariqi.    

Milaim Nuhiu, sekretar i i organizatës “Demokracia Studentore” tha se është i detyruar të largohet nga vendi  sepse nuk po gjejnë punë edhe pse  ka  diplomuar qe një vit dhe ka konkurruar me dhjetëra herë.

“Meqenëse për të qenë i punësuar në Ferizaj duhet të jesh vegël dhe servil i pushtetit dhe ne  e kemi parë të arsyeshme që nuk duhet diplomë dhe për t’u punësuar nuk vyen ajo diplomë, kështu që është e pa vlefshme...kemi konkurruar me dhjetëra herë... Duhet të shikojmë variantin sot e tutje të ndodhë edhe ajo si që ka ndodhur para disa muajsh që ka pasur largim të qytetarëve jashtë vendit me të madhe, ndodhë ajo të jetë zgjidhje për neve sepse këtu nuk po shohim zgjidhje. Fatkeqësisht zgjidhja më e keqe e mundshme atë që nuk kishim me dashur kurrë me përjetuar si të rinj mirëpo po na detyrohet ose me gjet një alternativë tjetër përmes punësimeve private”, tha Nuhiu.

Studentët në Ferizaj djegin diplomat (Drejtpërdrejt)

“Demokracia Studentore” sot para Kuvendit Komunal në Ferizaj, do të djegë diplomat për të treguar se në këtë qytet nuk ka më vend për ata që studiojnë dhe diplomojnë, dhe se ky vend është bërë vatër e nepotizmit dhe klientelizmit partiak.

Siç njofton “Demokracia Studentore”, në këtë aktivitet do të bëhet djegia e diplomave nga një numër i caktuar i studentëve, të cilët përmes kësaj shprehin se në këtë qytet nuk ka më vend për ata që studiojnë dhe diplomojnë, dhe se ky vend është bërë vatër e nepotizmit dhe klientelizmit partiak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat