Hoti: Tubimi në Ferizaj është ‘sondazhi’ ynë për fitoren e së dielës

Ferizaj

Hoti: Tubimi në Ferizaj është ‘sondazhi’ ynë për fitoren e së dielës

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 16:32
Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Avdullah Hoti, Ferizaj

Para mijëra simpatizantëve dhe qytetarëve të Ferizajt, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten se tubimet masovike siç është ky në Ferizaj janë dëshmia më e fortë dhe ‘sondazhi’ më i mirë se fitorja jonë në zgjedhjet e së dielës është e pashmangshme.
“Ne nuk i bartim njerëzit me autobusë nëpër tubimet tona. Neve na bashkon vetëm një ideal dhe ai është ideali i Presidentit Rugova për ta bërë Kosovën demokratike të zhvilluar, anëtare të BE-së dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hoti.

“Për dy vjet e gjysmë qeverisje, gjithmonë kam shprehur respekt të veçantë për Ferizajn, sepse është një qytet me shpirt të fuqishëm ndërmarrës dhe ekonomik, është qyteti që pas Prishtinës kontribuon më së shumti në zhvillimin e shtetit me pagimin e taksave”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se bashkë me partnerët tanë kemi punuar në përpilimin e një programi, i cili siguron vazhdimin e zhvillimit ekonomik, ofron punësim, të ardhura dinjitoze dhe kujdes ndaj të gjitha kategorive të shoqërisë.

“E kemi gjetur vendin me rritje ekonomike me 1 për qind, e kemi çuar në 4 për qind, do ta çojmë në 8 për qind dhe kjo na siguron se të rinjtë e të rejat tona do të mund të gjejnë një vend pune dhe do të kenë një jetë më të mirë”, ka deklaruar Hoti.

Image

Ai ka potencuar se programi ynë është kontratë me qytetarin, prandaj do ta zbatojë me përpikëri. “Ne kërkojmë besimin tuaj, për të cilin tashmë jemi të bindur se e kemi ashtu siç e kishim në kohën e Rugovës. Në sytë e të gjithë juve e kemi parë dëshirën për ndryshimin e madh dhe ky ndryshim do të ndodhë më 11 qershor”, ka nënvizuar Hoti.
“Kemi shumë punë për të bërë, por jemi vetëm ne, vetëm kjo listë, ky koalicion që mund ta çojë Kosovën përpara, sepse këtu janë bërë bashkë njerëzit më të mirë të Kosovës”, ka thënë kandidati i djathtë për kryeministër.

Kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa ka thënë se jemi pranë një momenti të rëndësishëm për të ardhmen afatmesme të vendit tonë.
“Dega e LDK-së në Ferizaj e ka pasur parasysh rëndësinë e këtij momenti dhe është përgatitur si asnjëherë më parë, sepse është e bindur që me Avdullah Hotin dhe këtë listë do të hapet rruga e qeverisjes me duar të pastra, qeverisjes që e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka shtuar Sfarqa.

Image

Sipas tij, LDK-ja është e orientuar kah qytetari i shekullit XXI, i cili e dallon lehtësisht mitin nga fakti, glorifikimin nga vlera e vërtetë dhe premtimet përrallore nga ato reale. Kreu i komunës ka thënë se ferizajasit e mbajnë thellë në shpirt vizionin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e kanë shndërruar në udhërrëfyes brezash e gjeneratash.

Labinot Tahiri, kryetar i degës së AKR-së në Ferizaj ka thënë se për mbi 70 për qind e shqiptarëve nuk kishte rëndësi se çfarë numri kishte Presidenti Rugova në zgjedhje. “E rëndësishme ishte që në ai e kishte 10-she në zemrat e shqiptarëve. Presidenti Pacolli pati besim tek unë dhe më ka renditur në numrin 10 të kësaj liste, e cila do të shënojë fitore të madhe”, ka thënë Tahiri.

Kryeministri Isa Mustafa ju ka thënë ferizajasve se në Kaçanik dhe Han të Elezit këndonin: ‘Kush është më i forti? Avdullah Hoti’.
“Unë u garantoj se Avdullah Hoti është më i forti nga të gjithë kandidatët për kryeministër, lista jonë është më e mira, koalicioni ynë është më i miri. Përkrahja kaq e madhe që po na bëhet është nder i madh për ne. Ferizaj e ka kuptuar më së miri se çka është zhvillimi ekonomik dhe ky zhvillim ekonomik është arritur nga ky koalicion i mrekullueshëm. Të nderuar qytetarë, po bëjmë fushatë për zhvillim ekonomik, për demokratizim, sepse ne jemi sinonim i demokracisë, ndërsa askush si ne nuk mund të udhëheqë zhvillimin ekonomik”, ka thënë Mustafa.

Image

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila ka thënë se sot tre vjet u mbajtën zgjedhjet e kaluara, të cilat nuk sollën shumë të mira, sepse nuk lejoi partia e cila më 11 qershor do të shkojë në opozitë.

“Ata do të rrinë në opozitë, sepse ne e kemi përkrahjen tuaj, ne kemi punë me Kosovën. Ka ardhur koha që Kosovës t’i japim drejtimin e duhur. Mendoni kush ia ka dhënë gjithmonë drejtimin e duhur, kush ka qenë ideator i ushtrisë së Kosovës, kush ka qenë ideator i Pavarësisë. E tash, kjo ide e këtij njeriu të madh e vizionar, i ka mbledhur këta burra e gra, djem e vajza, në një koalicion të madh për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë kryetarja e Gjakovës.
“Shikojini dallimin në mes dy taborëve, sepse realisht, në garë janë vetëm dy taborë. Në njërin tabor nuk i ke as liderët bashkë, bëjnë fushatë të ndarë, kanë premtime të ndara dhe me kalimin e kohës po iu zvogëlohen përkrahësit. E, koalicioni ynë e ka një vlerë shumë të madhe. Ne nuk tregtojmë me vlerat kombëtare, me vlerat fetare. Tek ne nuk janë luftërat për karrige, përkundrazi, është lëshimi i rrugës për gjeneratat e reja”, ka thënë Kusari Lila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat