INPO: Kuvendi Komunal të mbajë përgjegjës Kryetarin për shkeljet ligjore në hartimin e PZHK-së

Ferizaj

INPO: Kuvendi Komunal të mbajë përgjegjës Kryetarin për shkeljet ligjore në hartimin e PZHK-së

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 17:39
INPO

Anulimi i vendimit për dhënien e pëlqimit për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal në Ferizaj, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konfirmon edhe një herë të gjitha gjetjet dhe vlerësimet e INPO-s për procesin e kundërligjshëm dhe jashtë frymës demokratike të hartimit të dokumenteve strategjike për zhvillimin hapësinor në komunë.

Kështu vlerëson organizata INPO në një reagim dërguar sot për media.

INPO thekson se në vazhdimësi ka kritikuar autoritet planifikuese të komunës për qasje të jo të drejtë, jo transparente dhe të kundërligjshme ndaj procesit të hartimit të PZHK-së.

“Madje në vitin 2015, INPO ka kërkuar publikisht shkarkimin Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit, si përgjegjësi kryesor për gjithë ciklin e  padrejtë dhe të kundërligjshëm të hartimit të politikave komunale për planifikim hapësinor. Aso kohe INPO ka kërkuar edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj që të zhvillojë hetime për dyshimet se është konsumuar vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar, respektivisht vendimit të Kuvendit Komunal për revidimin e zonave I dhe VIII-të të qytetit, i cili ka pasur për qëllim të vetëm ngritjen e koeficientëve të ndërtimit”, thuhet në reagim.

Aty theksohet se ‘Si pasojë e moszbatimit të mekanizmave për llogaridhënie brenda institucionit të komunës dhe mos gatishmëria e Kryetarit të Komunës për të mbajtur llogaridhënës para ligjit vartësit e tij, ka mundësuar që procesi i hartimit të PZHK-së të kontestohet në vazhdimësi nga MMPH-ja, qytetarët dhe shoqëria civile’.

Sipas INPO,  deponimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, nga ana e Departamentit për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, rreth dyshimeve të bazuara për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar kundër Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit dhe anëtarëve të tjerë të komisionit për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve rreth draftit të PZHK-së, është tregues i qartë se në këtë proces nuk janë zbatuar obligimet ligjore dhe se kërkesat legjitime të qytetarëve nuk janë shqyrtuar sipas ligjit.

“Rrjedhimisht, ka dështuar angazhimi i dy (2) vjeçar i autoriteteve planifikuese për ta miratuar këtë dokument kaq të nevojshëm për zhvillimin e komunës. Mirëpo, ky dështim në miratimin e PZHK-së për shkak të pengesave ligjore do të duhej të ishte alarm për Kuvendin Komunal, si autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrësi kryesor i punës së Kryetarit të Komunës”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat