Aktakuzë për shoferin që shkeli për vdekje punëtorin e “Betchel&Enka”

Ferizaj

Aktakuzë për shoferin që shkeli për vdekje punëtorin e “Betchel&Enka”

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Masa e arrestit shtëpiak ndaj Meriton Salihut, shofer i kamionit ku la të vdekur 41 vjeçarin Tafil Tafallari gjatë punës në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” përfundon sot.

Për këtë rast Gjykata Themelore e Ferizaj, dega në Kaçanik me neglizhencën e saj për të thirrur seancë të rregullt ka bërë që seanca fillestare të mos mbahej dje, ashtu siç ishte planifikuar.

Për të pandehurin Salihu, prokurorja e rastit Sebahate Sinani në aktakuzën e siguruar nga Ndërtimi i ka kërkuar Gjykatës, që Meriton Salihu të shpallet fajtorë dhe të ndëshkohet me dënim meritor.

“Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave, i propozoj Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtorë dhe ta ndëshkoj me dënimin meritor sipas kodit penal”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, prokurorja Sinani ka kërkuar që të pandehurit t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues, marrja e leje së vozitjes.

“Po ashtu në pajtim me nenin 62 paragrafi 2, nënparagrafi 2.6 të KPRK-së, gjykatës i propozoj që ndaj të pandehurit të shqiptoj edhe dënimin plotësues, marrjen e lejes së vozitjes”, citohet të ketë thënë prokuroria.

Gjithë kjo po vjen në bazë të arsyetimit që Policia e Kosovës, stacioni policor në Ferizaj me 29 tetor 2017-të, ka parashtruar kallëzim penal ndaj të pandehurit Meriton Salhiu nga fshati Bakshi, Komuna e Obiliqit për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale, rrezikimi i trafikut publik nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 e 1 të KPRK-së.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve hetimore dhe vlerësimit të të gjitha provave një nga një dhe si tërësi, është ardhur në përfundim se në rastin konkret duhet ngritë aktakuzë pasi që ekzston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Meriton Salihu ka kryer veprën penale, rrezikim i trafikut publik nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të KPRK-së”, thuhet në arsyetimin e aktakuzës.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se gjendja faktike vërtetohet edhe nga mendimi dhe konstatimi i ekspertit të komunikacionit rrugorë, nga i cili rezulton se aksidenti është shkaktuar nga lëshimet primare të shoferit, Meriton Salhiu.

Se vdekja e punëtorit të “Bechtel&Enka”, Tafil Tafallari në fshatin Kovaqec të Kaçanikut ishte jo e natyrshme e thotë edhe raporti i Autopsisë.

“Nga raporti i Autopsisë rezulton se shkaku i vdekjes së të ndjerit Tafil Tafallari është vdekje jo e natyrshme e cila ka ardhur si rezultat politraumës së pësuar e përcjellur me thyerje në kokë, krahëror, komblik dhe krahu i djathtë, dëmtim të indit trunor, shqyerje të mushkërisë së majtë, perikardit, mëlçisë, shpretkës, dhe e veshkës së djathtë si dhe gjakderdhje masive në kavietin e kokës, krahrorit dhe abdomenit”, thuhet në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat