Limaj: Vitin e ardhshëm çdo familje do të ketë një të punësuar - Bota Sot
Limaj: Vitin e ardhshëm çdo familje do të ketë një të punësuar

Ferizaj

E mërkurë, 17 tetor 2018

Limaj: Vitin e ardhshëm çdo familje do të ketë një të punësuar

Më: 3 maj 2018 Në ora: 16:02
Fatmir Limaj, gjatë takimit me përfituesit e skemës së ndihmës sociale në komunën e Ferizajt

Vitin e ardhshëm të gjitha familjet që mund të punojnë do të kenë të punësuar një anëtar të familjes.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, gjatë takimit me përfituesit e skemës së ndihmës sociale në komunën e Ferizajt.

Limaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë të aftë për punë të vizitojnë zyrat e punësimit dhe të fillojnë të punojnë, pasi sipas tij nuk mund të ndërtohet një jetë me ndihmë sociale.

Limaj: Vitin e ardhshëm çdo familje do të ketë një të punësuar

"Drejtojuni shkollave profesionale nëse doni të merrni zanat, e zanati kanë thënë njerëzit e mirë pa bukë nuk të lenë. Ferizaj ka edhe Qendrën për Aftësim Profesional, por edhe shkollë profesionale i ka këtu. Dikush, djemtë e ri dhe vajzat në shkolla profesionale, e dikush që janë pak më të moshuar si unë me shkua në Qendrën e Aftësimit Profesional me marrë një zanat e me ju vesh punës. Kosova ka kapacitet dhe mundësi dhe ajo që po e them e që jemi duke e bërë në çdo qytet, Kosova do t’ju ofrojë dhe kjo qeveri, kjo ministri brenda afatit të paraparë, unë besoj në vitin e ardhshëm që të gjitha familjet që mund të punojnë dhe kanë një njeri që mund të punojë do të kenë nga një vend pune", tha Limaj.

Sipas Limajt, vendi ka kapacitet që t’iu ofrojë punë të gjithëve që janë të aftë për punë dhe që duan të punojnë.

Ftesë që të vizitojnë zyrat e punësimit përfituesve të skemës sociale u ka bërë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica. Ai tha se përgatitja profesionale do t’iu hapë rrugë që të jenë të kërkuar në tregun e punës

Reçica: Përgatitja profesionale hap rrugë drejt tregut të punës

"Ftojmë të gjithë juve që të paraqiteni në Qendrat e Aftësimit Profesional, përkatësisht në Zyrat e Punësimit që të kërkoni trajnimin dhe aftësimin profesional në fushat që keni dëshirë të trajnoheni. Shfrytëzojë rastin të ju informojë se gjatë kohës që do të merrni trajnim në Qendrat e Aftësimit Profesional ju do të jeni të mbështetur dhe nuk do të largoheni nga asistenca sociale derisa ju të kyçeni në marrëdhënie të rregullt pune. Një gjë duhet ta keni parasysh, përgatitja profesionale hap rrugë që ju të jeni të kërkuar në tregun e punës", tha ministri Reçica.

Me qëllim të zbutjes së papunësisë, ministri Reçica tha se janë duke punuar me disa shtete të Bashkimit Evropian për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se vizioni i qeverisjes së tij në politikat sociale është i ndërtuar mbi parimin e solidaritetit dhe kujdesit të shtuar institucional.

I pari i Ferizajt shtoi se platformën e tij qeverisëse ka të integruar pakon e masave që i takon nivelit lokal e të cilat Aliu tha se do t'i zbatojnë në fushën sociale.

Gjithashtu, ai prezantoi edhe masat që ka ndërmarrë që nga marrja e mandatit të kryetarit të kësaj komune.

Aliu: Zhvillimi ekonomik, përgjigjja më e mirë ndaj çështjeve sociale

"Themelimin e një këshilli ndërsektorial për zhvillimin ekonomik të komunës, sepse ne zhvillimin ekonomik e shohim si përgjigjen më të mirë ndaj çështjeve sociale. Prandaj, ky mekanizëm është themeluar për herë të parë në nivel komunal në rang Republike e që si qëllim ka hartimin e politikave zhvillimore ekonomike dhe fillimin e realizimit të fondit të vetëpunësimit. Ne gjatë kësaj periudhe kemi mbështetur dhe fuqizuar organizatat komunitare, të cilat përfaqësojnë kategoritë më të ndjeshme sociale siç janë personat me nevoja të veçanta, grupet e cenueshme etnike", tha Aliu.

Ai tha se komuna që drejton sa i përket kompetencës lokale mbetet e përkushtuar të realizojë të gjitha pikëpamjet qeveritare në fushën e kujdesit social.

Komuna e Ferizajt aktualisht në skemën sociale ka 981 familje, prej të cilave 570 familje janë të kategorisë së parë që nuk kanë mundësi të punojnë. Ndërsa, në kategorinë e dytë janë 411 familje e që ishin prezentë në këtë takim nga iu bë thirrje që të aftësohen profesionalisht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test