Konfiskohen 700 kg nënprodukte të prishura të mishit dhe qumështit - Bota Sot
Konfiskohen 700 kg nënprodukte të prishura të mishit dhe qumështit

Ferizaj

E martë, 23 tetor 2018

Konfiskohen 700 kg nënprodukte të prishura të mishit dhe qumështit

Më: 24 maj 2018 Në ora: 14:40
Nënprodukte të prishura të mishit dhe qumështit

Inspektorati Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Ferizaj kanë konfiskuar dhe asgjësuar një sasi të madhe të nënprodukteve të mishit dhe qumështit, të cilat për shkak të mos përmbushjes së kushteve të transportit kanë rezultuar të prishura.

Sasia e konfiskuar dhe asgjësuar është rreth 700 kg që ishin gjetur në dy automjete transportuese, njofton Komuna e Ferizajt.

Inspektorati Komunal, përkitazi me këtë rast, përveç konfiskimit dhe asgjësimit ka proceduar rastin në organet e drejtësisë, gjegjësisht në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha, tha se aksioni për kontrollin e cilësisë së mishit dhe produkteve tjera që ofrohen në treg po vazhdon me inspektime në baza ditore.

“Sasia e konfiskuar ka qenë e destinuar të shpërndahet në pika shitëse, gjegjësisht marketet e qytetit tonë. Presim që organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre në mbrojtje të shëndetit publik”, tha ai.

Inspektorati Komunal falënderon Njësinë e Trafikut për bashkëpunimin në aksionin e sotëm dhe aksionet e mëhershme, bashkëpunim ky që ka rezultuar me parandalimin e shpërndarjes së sasive të mëdha të produkteve të prishura që cenojnë direkt shëndetin e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test