Drejtori i Zhvillimit ekonomik dhe turizmit në komunën e Ferizajt, Zekir Bytyqi, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Sylejman Nezirin, pronar i Qendrës Tregtare “Plus Market”, në shenjë përkrahje për këtë qendër tregtare, e cila më datën 26 dhe 27 korrik do të mbajë panairin me prodhimet vendore në hapësirat e kësaj qendre.
Me këtë rast, drejtori Bytyqi është shprehur se ky memorandum ka rëndësi shumë të madhe me vetë faktin se edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, është i gatshëm të përkrahë bizneset vendore.
Ndryshe, në këtë panair pjesëmarrës do të jenë mbi 200 kompani vendore , si dhe shumë kompani prodhuese nga Shqipëria, ndërkaq gjatë dy ditëve pritet që mbi 10 mijë konsumatorë ta frekuentojnë panairin.
Në hapje të panairit pritet të marrin pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministra e zëvendësministra, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu si dhe mysafirë të shumtë nga vendi dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria.
Organizatorë të këtij panairi janë Qendra Tregtare "Plus Center" dhe Komuna e Ferizajt.