Veseli: Ferizaj me qytetet në rrethinë, e kanë merituar spitalin - Bota Sot
Veseli: Ferizaj me qytetet në rrethinë, e kanë merituar spitalin

Ferizaj

Veseli: Ferizaj me qytetet në rrethinë, e kanë merituar spitalin

Më: 26 korrik 2018 Në ora: 19:39
Kadri Veseli

Sot është vënë gurthemeli i spitalit të përgjithshëm në Ferizaj, ndërtimi i së cilit do të kushtoj 10.2 milionë euro, që pritet të përfundojë brenda tri vitesh.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Ferizaj dhe qytetet në rrethinë e kanë merituar spitalin e ri, sepse Ferizaj ka qenë qendër e mjekësisë për ish-ushtarët e UÇK-së gjatë luftës.

Veseli: Ferizaj me qytetet në rrethinë e kanë merituar spitalin

“Ferizaj me qytetet në rrethinë e kanë merituar spitalin. Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën e prillit dhe qershorit, ka qenë qendra kryesore e mjekësisë ushtarake në Republikën e Kosovës... E meriton Ferizaj, përveç aspektit historik edhe për shkak të sotmes, Ferizaj është një nga komunat që paguan më së shumti taksa në Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se sot i ka bashkuar një festë që i gëzohen të gjithë, sepse një qendër aq e madhe sa është Ferizaj dhe më në fund Kosova, po e vendos këtë të drejt në Ferizaj me një projekt mbi 10 milionë euro. Sipas tij, për këtë projekt ka qenë kërkesë e madhe e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ministrit të MSH-së, Uran Ismajli.

Haradinaj po ashtu përmendi edhe një kërkesë tjetër për një zonë të madhe ekonomike në Ferizaj, që sipas tij, qeveria do t’i përgjigjet kësaj kërkese.

Haradinaj: Po bëhet një drejtësi,

“Po bëhet një drejtësi, sepse një qendër aq e madhe siç është Ferizaj dhe një regjion aq i madh sa është Ferizaj, pra nuk ka pasur spital dhe me vjen mirë që Kosova më në fund po e vendos këtë të drejt në vendin e vet. Është një projekt shumë i madh buxhetor, është 10 milionë e tutje. Është një ndryshim i madh në të gjithë proceset e jetës në Ferizaj”, ka thënë Haradinaj.

Ministri i MSH-së, Uran Ismajli me këtë rast tha se ka pasur mos besim për realizimin e këtij projekti, por sot tha sot po dalin faqebardh para qytetarëve me këtë spital modern, me pajisje moderne që do të jetë në funksion të qytetarëve të Ferizajt dhe do t’ua kenë lakmi edhe Prishtina dhe qytete tjera. Ai paralajmëroi edhe projekte të tjera në fushën e shëndetësisë për Ferizaj.

Ismajli beson se projekti do të realizohet më shpejt se për tri vjet.

Ismajli: Sot jemi të gjithë faqebardhë

“Sot jemi të gjithë faqebardhë që kemi ardhur dhe po bëjmë gurthemelin e një spitali, i cili do të jetë një spital modern, i cili do të ketë pajisje moderne dhe për shumë dekada do të jetë në funksion të qytetarëve”, tha Ismajli.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu deklaroi se spitali është një objekt i rëndësisë së veçantë që ka munguar në Ferizaj.

Aliu: Sot po bëjmë gurthemelin

“Sot po bëjmë gurthemelin për të dhënë një mundësi të re për mantelbardhët, për gjeneratat e reja, për qytetarët e komunës së Ferizajt, për pacientët që të jenë pjesë e shërbimit nga mantelbardhët në këtë spital regjional”, tha ai.

Edhe deputeti Elmi Recica ka përgëzuar qytetarët e Ferizajt që sipas tij do të trajtohen mbi 350 mijë qytetarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test