Ferizaj nga shtatori ul shkallën e tatimit në pronë për 10%

Ferizaj

Ferizaj nga shtatori ul shkallën e tatimit në pronë për 10%

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 14:34
Foto

Që nga shtatori i këtij viti Komuna e Ferizajt do ta ul shkallën e tatimit në pronë në masën 10 për qind.

Kështu u ka thënë përfaqësuesve të bizneseve gjatë një takimi, drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku. Ajo ka shtuar se kjo përbën një zotim të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, dhe se përfitues më të mëdhenj nga kjo ulje do të jenë bizneset. Madje ka paralajmëruar edhe lansimin e një fushate e cila në fokus do ta ketë sensibilizmin e opinionit për procedurat e pagesës dhe përfitimet.

Sipas kumtesës për media, gjithashtu në këtë paraqitje, e para e kësaj drejtorie Sebahate Ajeti-Sadiku, u ka bërë me dije qytetarëve se që nga tetori i këtij viti arkëtimi i borxheve do të bëhet përmes përmbaruesve privat. Ka paralajmëruar edhe mundësinë që këto borxhe të shlyhen edhe përmes programimit të borxhit. Ka vënë në dukje se vlera e inkasimit të të hyrave nga tatimi në pronë gjatë kësaj periudhe ka shënuar shifrën e 1 milionë eurove.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar që ndaj kontribuesve të rregullt të krijohen edhe lehtësira tjera. Kanë përmendur Ligjin për Faljen e Borxheve i cili i ka vendos në pozita të pabarabarta me ata që nuk i kanë kryer obligimet.

Në këtë kuptim drejtoresha Sebahate Ajeti- Sadiku, ka thënë se tatimpaguesit e rregullt nuk kanë obligime të kamatave sikurse ata që nuk i kryejnë ato.

Për më tepër u tha se të hyrat nga tatimi në pronë qytetarëve u kthehen në formë të investimeve kapitale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat