Mbahet raundi i fundit i diskutimeve për buxhetin 2019-2021 - Bota Sot
Mbahet raundi i fundit i diskutimeve për buxhetin 2019-2021

Ferizaj

E martë, 23 tetor 2018

Mbahet raundi i fundit i diskutimeve për buxhetin 2019-2021

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 20:23
Agim Aliu

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli si dhe drejtoreshën e financave, Sebahate Ajeti Sadiku, sot mbajti takimet e fundit me banorët e rajoneve të Ferizajt, fshatra dhe qytet, për hartimin e projekt buxhetit për vitin 2019-2021.

Siç njofton Komuna e Ferizajt, ky diskutim u mbajt në Surqinë me banorët e fshatrave Surqinë, Cërnillë, Prelez i Muhaxherëve, Mirash, Tërrn, Luboc dhe Bablak kurse diskutimi tjetër u mbajt në Muhoc me banorët e fshatrave Prelez i Jerlive, Saraishtë dhe Talinoc i Jerlive. Me këtë rast, i pari i Ferizajt tha se Ferizaj si asnjëherë më parë ka sfida serioze për hartimin e buxhetit, situata sfiduese këto që pamundësojnë investime sipas kërkesave të banorëve.

“Kjo për faktin se nga buxheti i Ferizajt, gjegjësisht kategoria e investimeve kapitale për vitin 2019, janë paraparë 10 milionë e 5 mijë euro sipas qarkores së arritur sot nga Ministria e Financave, prej të cilave, 9 milionë euro janë paraparë si shlyerje e borxhit ndërsa mbeten vetëm 1 milionë e 5 mijë euro për investime në projekte të ndryshme në territorin e Ferizajt për vitin 2019”, tha ai.

Këto sfida, kryetari Aliu i siguroi pjesëmarrësit e këtyre takimeve se do t’i tejkaloj dhe realizoj platformën e tij qeverisëse, me projekte zhvillimore për Ferizajn me mbështetjen e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Edhe drejtorët komunal dhanë përgjigje për çështjet që ngritën banorët e fshatrave pjesëmarrëse në këto takime. Drejtoresha e Financave paraqiti mundësitë buxhetore në kuadër të buxhetit komunal për vitin 2019 ndërsa drejtori i Infrastrukturës elaboroi më gjërësisht projeksionet e investimeve infrastrukturore në këtë zonë dhe projektet tjera të rëndësishme të infrastrukturës në territorin e Ferizajt.

Banorët e fshatrave parashtruan kërkesat e tyre para Kryetarit të Komunës, Agim Aliu dhe drejtorët komunal, kërkesa infrastrukturore, shërbime publike, transporti dhe investime në sport për të cilat kryetari Aliu dhe drejtorët komunal u zotuan se do të jenë kërkesa prioritare në agjendën e investime afatshkurtëra dhe afatmesme. Këto diskutime për hartimin e projekt buxhetit komunal do të mbahen edhe me grupe të veçanta ditëve në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test