Komuna e Ferizajt nisë përgatitjet për 20 vjetorin e Epopesë së Jezercit - Bota Sot
Komuna e Ferizajt nisë përgatitjet për 20 vjetorin e Epopesë së Jezercit

Ferizaj

E premte, 16 nëntor 2018

Komuna e Ferizajt nisë përgatitjet për 20 vjetorin e Epopesë së Jezercit

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 12:28
Xhemile Murati dhe Luan Jahiri

20 vjetori i Epopesë së Jezercit në komunën e Ferizajt do të shënohet me aktivitete të ndryshme përkujtimore e kulturore. Ky aktivitet do të mbahet më 28 shtator.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Ferizajit, Xhemile Murati - Shabani ka treguar për përgatitjet që janë duke u bërë për 20 vjetorin e kësaj Epopeje.

Ajo tha se komuna e Ferizajt i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtyre manifestimeve.

Shabani: Komuna do t'i kushtojë rëndësi të veçantë këtij manifestimi

"Komuna e Ferizajt në vazhdën e aktiviteteve kulturore, një rëndësi të veçantë padyshim që i kushton edhe manifestimeve që lidhen direkt me historinë më të re të Ferizajt dhe të Kosovës, ku dihet se lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri një sakrificë sublime për ditët e lirisë që po i gëzojmë ne sot, ku dihet se djemtë dhe vajzat e reja u angazhuan edhe në komunën e Ferizajt", tha Murati- Shabani në një konferencë për gazetarë.

Shabani ka treguar se për nder të kësaj epopeje, gjatë këtyre ditëve do të mbahet një orë historike në të gjitha shkollat e Ferizajt. Gjithashtu, në këtë manifestim do të ketë edhe ekspozita, homazhe, shfaqje filmi, turnir futbolli, tribunë shkencore, etj.

Shabani: Ka shumë aktivitete

"Aktivitetet do të fillojnë nga dita e hënë, më 24 shtator, ku do të fillohet me një ekspozitë homazh me veprat e artistit dëshmor, Gyrsel Sulejmani. Është një aktivitet i organizuar nga shoqata e artistëve figurativë ‘Zef Kolombo’, po ashtu do të kemi një film artistik ‘Heroi’, skenari dhe regjia nga Luan Kryeziu, organizim nga Teatri i Qytetit, që do të jetë më 25 shtator, dhe po ashtu më 26 shtator do të kemi turnir në futboll, organizim nga sektori i Sportit dhe shoqatat e organizatat e dala nga lufta", ka thënë Shabani.

Ndërkaq, 28 shtatori, dita kur shënohet 20 vjetori i kësaj epopeje, do të shënohet me homazhe te varrezat e dëshmorëve, e më pas do të ketë një koncert për fëmijë, ekspozitë me relikte nga lufta e UÇK-së dhe akademi solemne.

Luan Jahiri, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës në Ferizaj, tha se pavarësisht se në të njëjtën kohë prokuroria po kryen hetime për listat e veteranëve të rrejshëm, ata do të vazhdojnë me jetën dhe organizimet e tyre. Ai tha se ushtarët e vërtetë nuk kanë pse të brengosen për listat.

Jahiri: Nuk brengosemi për listat, ushtarët e vërtetë ta vazhdojnë jetën

 "Nuk brengosemi aspak për listat, prokuroria kryen punën e vet, ndërsa ne organizatat e dala nga lufta vazhdojmë me jetën, gjithë ushtarët që jemi të vërtetë vazhdojmë me jetën, për atë nuk besoj që do të ketë shqetësim asgjë", tha Jahiri.

Ky manifestim do të përmbyllet më 29 shtator, kur edhe do të organizohen ecje në fshatin e Jezercit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test