Limaj: Rreth 500 vende të lira të punës në Ferizaj

Ferizaj

Limaj: Rreth 500 vende të lira të punës në Ferizaj

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 19:25
Fatmir Limaj

Derisa në Kosovë papunësia vazhdon të jetë shumë e lartë, në komunën e Ferizajt, janë afro 500 vende të lira të punës.

Kështu ka thënë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj sonte në një tubim me të rinjtë e kësaj partie.

Ai tha se rinia e Kosovës është vetëm kërkuese dhe aspak nuk mundohet të arrijë qëllimet dhe ëndrrat e tyre.

Limaj: Nuk janë të gjithë për të kryer fakultet

"Mos e çoni rininë poshtë, me gjëra të kota, të gjitha keni mundësi me i zënë rrugës, ama me gabuar me lëshuar tash shansin. Nëse sot e lëshon shansin të kryesh shkollën fillore, nuk kryhet ajo pas 40 vjetësh. Dikush e kryen fakultetin që nuk është për fakultet, e unë sonte jam këtu me fol për ata që nuk janë me kryer fakultet", ka thënë Limaj.

Ai ndërkaq ka motivuar të gjithë të rinjtë të ndjekin programin e qendrave për aftësime profesionale.

Limaj: 300-500 vende të punës janë të lira në Ferizaj

"Si është e mundur që sot në Kosovë në një papunësi kaq të madhe, në anën tjetër ka kërkesa për vende të reja të punës. Nuk po largohemi nga Ferizaj, këtu në Ferizaj, 300-500 vende të punës janë të lira. Nëse pyesim kompanitë, po si janë të lira dhe s'ka punë, se nuk kem djem dhe vajza me zanat. Dhe ajo çfarë ne kemi ardhur për të thënë sot, me kryetarin e degës dhe me ministrin që ka me mbështet këtë projekt, është se në Ferizaj ekziston qendra e aftësimit profesional", ka thënë Limaj.

Ndërsa, kryetari i rinisë socialdemokrate Albert Maxhunaj tha se në këtë takim janë mbledhur për të konkretizuar platformën e tyre për të rinjtë e Kosovës.

Maxhunaj: Të rinjtë mendojnë që zgjidhja më e lehtë është të kritikojnë

“Ne jemi dëshmitarë, që shumë të ri e të reja, sot nuk kanë përgatitje profesionale. Jo të gjithë kanë fatin që të kenë një diplomë universitare. Çfarë jemi duke bërë ne si të ri, që t'i drejtojmë të rinjtë dhe të rejat drejt përgatitjes profesionale. A jemi të gatshëm ne, që të jemi të aftë për punë. Sa djem dhe vajza të reja kemi që nuk janë të aftë për tregun e punës. Fatkeqësisht, ne sot mendojmë që zgjidhjen më e lehtë është që të ulemi dhe të kritikojmë", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat