Së shpejti themelohet Arkivi Ndërkomunal në Ferizaj

Ferizaj

Së shpejti themelohet Arkivi Ndërkomunal në Ferizaj

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 16:22
Pamje nga takimi

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka pritur në një takim kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj.

Temë e diskutimit në këtë takim ishte gjendja e përgjithshme e arkivave, me theks, arkivit të Ferizajt, përkatësisht procesit të digjitalizimit dhe formave tjera për ruajtjen dhe promovimin më të mirë të materialeve arkivore.

Aliu e njoftoi Manajn se gjendja e arkivit në Ferizaj ka nevojë për ndërhyrje me qëllim që të avancohet ky shërbim dhe ruajtja e dokumentacionit dhe materialeve tjera arkivore të bëhet sipas standardeve më të larta në këtë fushë.

Manaj e njoftoi Aliun se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në buxhetin e saj ka paraparë themelimin e Arkivit Ndërkomunal në Ferizaj, aset ky i munguar deri më tani, e që në disa qendra të tjera të Kosovës, funksionojnë këto institucione.

Madje, kërkesë e mysafirëve ishte që si obligim i Komunës së Ferizajt në këtë proces të jetë sigurimi i objektit dhe investimet në infrastrukturën e nevojshme për të mundësuar funksionimin e Arkivit Ndërkomunal.

Aliu tha se qeverisja lokale tashmë ka marrë iniciativa në këtë drejtim, përkatësisht për ruajtjen e materialeve të ndryshme për periudha historike duke proceduar themelimin e Muzeut të Kujtesës, porse edhe për Arkivin Ndërkomunal do të ndiqet procedura e nevojshme që të themelohet në qytetin tonë.

Arkivi Ndërkomunal në Ferizaj do të grumbullojë materialet arkivore nga fondkrijuesit shtetëror dhe privat, e të cilat do të mund të shfrytëzohen sipas parashikimeve ligjore të kësaj fushe.

 Ferizaj i ka munguar deri më tani një institucion i tillë dhe gatishmëria e qeverisjes lokale për të mundësuar themelimin e një institucioni të tillë paraqet hap themelor në kujdesin institucional dhe promovimin e materialeve arkivore që paraqesin dëshmi të periudhave historike por edhe për shërbimin për nevoja të qytetarëve dhe administratës shtetërore që do të mundësoj ky institucion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat