Filmat horror nga perspektiva e afrikano-amerikanëve

Filma

Filmat horror nga perspektiva e afrikano-amerikanëve

Më: 6 maj 2019 Në ora: 07:04
Regjisori dhe aktorët e filmit "Us"

Regjisori amerikan Jordan Peel është prezantuar para shikuesve me realizimin e tij të ri -- "Us" që pason filmin e tij shumë të suksesshëm të vitit 2017 "Get Out", i cili i siguroi atij çmim oskar për skenarin më të mirë. Të dy janë filma të zhanrit horror. Kritikët dhe audienca kanë vlerësuar kurajon dhe talentin e regjisorit afrikano-amerikan si një zë origjinal që po e përdor zhanrin e filmave horror me tema mbi eksperiencën afrikano-amerikane, si metaforë për padrejtësitë sociale dhe racore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou na njeh më gjerë me këtë temë:

((Lupita Nyong'o në rolin e Adelaide Wilson)) "Ti e di se si nganjëherë gjërat ndodhin njëra pas tjetrës? Rastësi? Qëkurse kemi ardhur këtu, ato po ndodhin gjithnjë e më shumë. Duket sikur një re e errët ka rënë mbi ne."

Filmi i frikshëm "Us" zbulon përbindëshin që fshihet brenda njeriut në një formë të dyzuar.

Producenti Jordan Peele eksploron idenë e vetë hijes.

"Kjo ide ekziston në shumë kultura, në shumë mitologji, dhe ajo nënkupton se njerëzit kanë një anë të errët, negative, të cilën përpiqen ta mbajnë nën kontroll, ngaqë kanë frikë prej saj."

Zoti Peele thotë se ai e përdor zhanrin e frikës apo “horror” për të trajtuar marrëdhëniet racore dhe shtimin e ndarjeve social-ekonomike në Amerikë. Filmi i tij i mëparshëm i frikshëm, "Get Out", ishte për njerëzit e pasur të bardhë, që e zgjasin jetën duke transplantuar trurin e tyre në trupat e të rinjve afrikano-amerikanë. Filmi i tij simbolik "Us", vë përballë të privilegjuarit amerikane me anën e tyre të kundërt. Aktorja fituese e çmimit Oscar, Lupita Nyong'o luan rolin e një nëne dhe bashkëshorteje të klasës së mesme, Adelaide Wilson dhe hijes së saj Red, që e ndjek nga pas."

"Shpesh herë mendojmë se përbindëshi, apo e keqja, është jashtë nesh, jashtë shtëpive tona. Në këtë film përbindëshi është në fakt brenda vetes sonë dhe i gjithë sekreti është që ta përqafojmë, ose të paktën ta pranojmë atë"- thotë aktorja.

Eksperti i filmave të frikshëm Andrew Scahill thotë se Jordan Peele ka një rol udhëheqës në epokën e filmave të frikshëm me aktorë afrikano-amerikanë.

“Jemi në një kohë tepër të veçantë për filmat e frikshëm. Pakicat po marrin atë që u takon në këtë zhanër, të cilët për të qenë të sinqertë, janë mbajtur larg në të kaluarën."

Tani, thotë ai, ata janë personazhet kryesore dhe kjo dë të vazhdojë.

"Jordan Peele ka thënë se nuk ka në plan të kërkojë aktorë të bardhë për rolin kryesor tani e tutje, sepse filmi tashmë është bërë."

Ai thotë se koncepti i përbindëshit brenda vetes është po aq i vjetër sa "Jekyll and Hyde", apo Frankenstein-i. E njëjta gjë duhet thënë edhe për zhanrin e filmave të frikshëm, si një platformë për komentet sociale.

"Në filmin "Nosferatu", del imazhi i vampirit kundër karikaturave të popullit hebre gjatë asaj periudhe. King Kong është një metaforë për tregtinë e skllevërve. Filmi "Invasion of the Body Snatchers", ka të bëjë me komunizmin, Makarthizmin, konsumizmin, ose të gjitha këto ideologji.” Filmat horror të regjisorit Jordan Peele nxjerrin në pah të njëjtat shqetësime përmes perspektivës së afrikano-amerikanëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat