Mbërrin teaseri për serinë "Carnival Row" me Orlando Bloom dhe Cara Delevingne

Filma

Mbërrin teaseri për serinë "Carnival Row" me Orlando Bloom dhe Cara Delevingne

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 10:07
Carnival Row

Fundi i gushtit e sjell një dhuratë të vërtetë për adhuruesit e tematikës fantazi: Amazoni do ta publikojë sezonin e plotë (8 episode) të serisë së re “Carnival Row”, ndërsa tani mund t’i shikoni fotot e para dhe teaser trilerin.

Ngjarja e serialit është vendosur në një botë fantazie viktoriane ku jetojnë njerëzit që e kanë pushtuar tokën, e cila përndryshe u përkiste qenieve mitologjike. Qeniet mbinatyrore po bëhen gjithnjë e më të shumta dhe po përpiqen të jetojnë në bashkësi me njerëzit me të cilët nuk guxojnë të jetojnë dhe as të jenë në marrëdhënie dashurie. Orlando Bloomit i është dhënë roli i detektivit (njerëzor) Rycroft Philostrate, i cili hyn në një lidhje të rrezikshme me zanën Vignette Stonemoss (Cara Delevingne) ndërkohë që e heton një seri vrasjesh, që mund ta cenojnë paqen tashmë të paqëndrueshme ...

Në rolet e tjera paraqiten David Gyasi si Agreus, një qenie e pasur misterioze, i cili e sfidon rendin shoqëror duke u zhvendosur në një vendbanim njerëzor; Karla Crome si zana Tourmaline, e cila dëbohet nga vendlindja e saj; Indira Varma si Piety Breakspear, udhëheqëse e familjes së fuqishme, e cila e sundon qytetin The Burgue dhe Tamzin Merchant si Imogen Spurnrose, e cila në Agreusin e sheh mundësinë për ta shpëtuar familjen e saj nga shkatërrimi.

Seria është e bazuar në skenarin e “A Killing on Carnival Row” të Travis Beacham (Pacific Rim), i cili ndodhej në Black List që nga viti 2005.

Sezoni i parë me tetë episode i serisë “Carnival Row” do të jetë në dispozicion nga 30 gushti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat