Mbahen ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit

Filma

Mbahen ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 18:45
Faruk Begolli

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Kosovafilmi në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës organizojnë Ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit për të kujtuar dhe nderuar veprën e aktorit në 12-vjetorin e vdekjes së tij.

Me këtë rast, më 23, 24 dhe 25 gusht në kinemanë “Cineplexx” do të shfaqen tre filma të përzgjedhur në të cilët luan Faruk Begolli.

Nesër shfaqet filmi “Era dhe Lisi”, të shtunën “Kur Pranvera Vonohet”, ndërsa të dielën “Proka”. Të gjithë filmat fillojnë në ora 20:00, ndërsa hyrja është falas.

Faruk Begolli është një ndër figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare dhe njëri ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi.

Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku ka diplomuar në vitin 1966. Është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin "Dodona" në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra). Rrolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat