“Home is where the films are” i regjisores nga Kosova, pjesë e programit të “Krakow Film Festival” - Bota Sot
“Home is where the films are” i regjisores nga Kosova, pjesë e programit të “Krakow Film Festival”

Filma

“Home is where the films are” i regjisores nga Kosova, pjesë e programit të “Krakow Film Festival”

Më: 4 maj 2020 Në ora: 12:31
Foto Ilustrim

Pas 20 vjetëve, disa fëmijë tashme të rritur vihen në kërkim të filmbërësve amerikanë. Synimi i tyre është që të gjejnë njerëzit që i kanë vënë në kontakt me kinematografinë gjatë luftës së fundit në Kosovë kur qëndronin në kampin e Stenkovec të Maqedonisë së Veriut.

Kjo është historia intriguese e dokumentarit “Home is where the films are”, i cili është në fazën e zhvillimit nga regjisorja More Raça. I njëjti është në mesin e projekteve të përzgjedhura nga “CEDOC Market 2020” që realizohet nga programi “Doc Lab Poland” e që është organizohet nga “Krakow Film Festival”. Regjisorja More Raça, ka thënë se pjesëmarrja në këtë ngjaje do t’i mundësojë që të diskutojë dhe të prezantojë projektin e saj te produksione me nam në botë.

Programi “CEDOC Market”, që mbahet në atë që njihet si kryeqyteti kulturor të Polonisë është një urë lidhëse në mes të filmbërësve të talentuar që aplikojnë me projektet e tyre nga e gjithë bota. Këtë vit ai do të mbahet më 4 dhe 5 qershor dhe do të jetë online, për shkak të pandemisë. Në të kaluarën, gjatë dy ditëve filmbërësit ishin bërë bashkë në qendër të Evropës, në qytetin historik Krakow dhe kishin pasur mundësi që të zhvillonin projektin e tyre, duke lidhur aleanca të reja profesionale. “CEDOC Market” realizohet nga “Doc Lab Poland” një nga programet më të mëdha dedikuar dokumentarëve në Poloni, që ka për qëllim mbështetjen e filmbërësve që janë të rinj dhe kreativë dhe është pjesë e “Krakow Film Festival”, një nga më të vjetrit në Evropë, dedikuar dokumentarëve, animacionit dhe filmave të shkurtër. Edicioni i sivjetmë, i 60-ti i këtij Festivali të kategorisë B, që më herët është mbajtur në qytetin Krakow, do të mbahet “online” prej 31 majit deri më 07 qershor. Një vendim i tillë është marrë për shkak të masave për parandalimin e virusit COVID-19.

Regjisorja More Raça ka thënë se dokumentari 80-minutësh “Home is where the films are”, flet për jetën e një familjeje kosovare gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe kohën e kaluar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Ka thënë se ngjarja fokusohet te fëmijët të cilët në kampin e njohur Stankovec të Maqedonisë, kanë shikuar filma në çarçafin e madh të vendosur nga filmbërës amerikanë. “Pas 20 vjetëve, fëmijët refugjatë tashmë të rritur kërkojnë të takojnë filmbërësit amerikanë që ua sollën filmin në kamp”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është një vlerësim shumë i madh për këtë projekt që është në fazën e zhvillimit që të pranohet në “CEDOC Market 2020”, për faktin se kjo mbahet në kuadër të festivalin prestigjioz “Krakow Film Festival”. E sipas saj, rëndësia i shtohet, pasi që ai dihet se ka shumë pak festivale të kategorisë A të zhanrit dokumentar.

“Gjatë kësaj ngjarjeje do të kem mundësi të diskutoj dhe prezantoj projektin te produksionet me eminente botërore, siç është ‘HBO’ dhe kjo do të ndihmojë shumë në realizimin e dokumentarit”, ka thënë ajo.

Kjo është ngjarja e dytë me radhë ku projekti “Home is where the films are” selektohet për fazën e zhvillimit. Në muajin prill, projekti ishte selektuar në “Eeast-west Talents Lab”, program në kuadër të festivalit “GoEast Film Festival”. Festivali mbahet çdo vit në Hessian të Gjermanisë që nga viti 2001.

“Kjo është shumë e rëndësishme për projektin, sepse bashkëpunimi me producentët e njohur botërorë të filmit dokumentar i jep mundësi filmit që të realizohet në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të ketë rrugëtim në festivalet e mëdha të filmit në botë”, ka thënë Raça, e njohur për filmat e shkurtër “Ajo” (2018), “Home” (2016) dhe Amel (2013).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat