‘Cirku Fluturues’ hap Festivalin ‘Dea’, Berisha: Kultura s’ka vëmendjen e shtetit

Filma

‘Cirku Fluturues’ hap Festivalin ‘Dea’, Berisha: Kultura s’ka vëmendjen e shtetit

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 18:13
Foto Ilustrim

Festivali i Filmit Ndërkombëtar “Dea open air” çeli siparin me “Cirkun fluturues” të regjisorit Fatos Berisha nga Kosova tek Amfiteatri i Arteve.

Filmi trajton vështirësitë me të cilat është përballur teatri në Kosovë gjatë luftës, për shkak të masave serbe mbi institucionet e kulturës. Vjen edhe si një homazh për artistët Adriana Abdullahu dhe Vangjush Furrxhi, duke mos përjashtuar neglizhencën e shtetit sot ndaj kulturës.

“Ngjarja e këtij filmi ndodh në vitet ‘90, por disa gjëra s’kanë ndryshuar. Arti edhe kultura, teatri dhe filmi, s’janë në gjendjen më të mirë. Kemi ecur si shoqëri në Kosovë dhe në Shqipëri, por vëmendja e shteteve tona nuk është në nivel të duhet për kulturën. Politikanët tanë krenohen me ne kur ne bëjmë suksese ndërkombëtare. Por vetëm kaq. Filmi vjen si një homazh në realitet për artisten Adriana Abdullahu, e vrarë gjatë luftës së Kosovë edhe Vangjush Furrxhiut, i cili asokohe na ka ndihmuar. Kemi qenë në një udhëtim me shokët, që jepnin një shfaqje në Tiranë, dhe Furrxhi na ka trajtuar si fëmihët e tij. Ndërsa, Romir Zalla luan në film me rrobat e vërteta të Furrxhiut”, shprehet Fatos Berisha.

Edhe pse teatrot në Kosovë janë hapur prej dhjetë ditësh, aktori Afrim Muçaj pas tetë muajsh izolim për shkak të pandemisë Covid 19,  paralelizon situatën ku gjenden artistët shqiptarë sot, me atë të periudhës së luftës

“Në Kosovë ka dhjetë ditë që janë hap teatrot edhe kinematë. Unë kam luajtur shfaqjen e parë para një jave në Prishtinë, pas tetë muajve karantinimi. Ne e kemi shumë të afërt luftën e Kosovës, para 20 viteve edhe kemi nis të bëjmë pyetjen që dikur thoshim: Ku ke qenë pas lufte, themi se ku ke qenë pas pandemie? Në aspektin artistik është njësoj siç ka qenë lufta edhe pandemia e vështirë”, shprehet aktori Afrim Muçaj.

Në edicionin e shtatë të Festivalit Dea Open Air do të prezantohen 68 filma artistikë me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat