Nesër vjen premiera e filmit “Qiej të trazuar” në platformën online të PriFest

Filma

Nesër vjen premiera e filmit “Qiej të trazuar” në platformën online të PriFest

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 21:43
Filmi “Qiej të trazuar”

Filmi i metrazhit të gjatë “Qiej të trazuar” me regji dhe skenar të Anton Ndrecajt nesër ka premierën botërore në kuadër të festivalit të filmit PriFest.

“Qiej të trazuar” është e zhanrit dramë, e cila përfshin në rolin kryesor një psikiatër të mirënjohur i cili ka ardhur tek përfundimi që jeta është e pavlefshme dhe që më asgjë nuk ka rëndësi. Ai përpiqet të bindë familjen e tij që ta lënë të ikë, por ai përballet me një konfrontim të gjerë duke i sjellë atë dhe familjen e tij në një konflikt dhe gati në shkatërrim.

Edhe pse gjithçka duket se është perfekte rreth Robertit: karriera, shtëpia e shkëlqyer, shtëpia në male, gruaja e bukur, fëmijët e shëndetshëm – mungesa e mirëkuptimit për funksionimin e kësaj bote e bën që gjithçka të duket e pavlerë, njofton Klan Kosova.

Në rolet kryesore janë aktorët Jehon Gorani dhe Arta Muçaj, ndërsa në rolet tjera luajnë Luan Kryeziu, Imer Kutllovci, Furtuna Aliu, Don Shala, Vedat Haxhiislami, May-Linda Kosumoviq, Fatlume Bunjaku, Ali Demi, Agim Sylejmani dhe Florist Bajgora.

Producenti i filmit Adriatik Kelmendi ka bërë të ditur se premiera e këtij filmi ishte menduar me tepih të kuq por kjo u pamundësua për shkak të rrezikut të pandemisë së COVID-19.

“Me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë ata individë të shumtë që u angazhuan për realizimin e këtij filmi, si dhe QKK-në për mbështetjen e tij”, ka shkruar Kelmendi në rrjetin social Facebook.

Filmin mund ta shikoni në platformën online të festivalit nga ora 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat